SHBA me diplomaci kundër Koresë Veriore!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shtojnë sanksionet ndaj Koresë së Veriut dhe do të rrisin masat diplomatike

Zyrtarë të lartë të administratës së Shteteve të Bashkuara u thanë senatorëve amerikanë se qëllim i tyre është të nxisin Korenë e Veriut që të çmontojë programet e saj bërthamore dhe raketore, përmes sanksioneve më të fuqishme ndërkombëtare dhe presionit diplomatik.

Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura ndaj Phenjanit në javët e fundit, të cilat sugjeronin se Uashingtoni mund të veprojë ushtarakisht, zyrtarët u thanë ligjvënësve të Senatit se administrata mbetet e hapur për negociata me Korenë Veriore, shkruan rtv21.tv

Strategjia e presidentit Donald Trump u njoftua pas një takimi të posaçëm me të gjithë 100 senatorët amerikanë.

Më parë, komandanti i lartë i SHBA në Paqësor mbrojti vendosjen e një sistemi të avancuar të mbrojtjes nga raketat në Korenë e Jugut.

Tensionet janë ngritur mes frikës se Veriu po planifikon teste të reja të armëve.

“Shtetet e Bashkuara kërkojnë stabilitet dhe denunuklearizim paqësor të gadishullit Korean,” tha një deklaratë e përbashkët e lëshuar nga Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis dhe Drejtori i Shërbimeve Kombëtare të Inteligjencës Dan Coats.

“Ne mbetemi të hapur ndaj negociatave drejt këtij qëllimi, por mbetemi të përgatitur për të mbrojtur veten dhe aleatët tanë. Qasja e presidentit synon të ushtrojë presion mbi Korenë e Veriut për shkatërrimin e raketave bërthamore, raketave balistike dhe programeve të përhapjes së armëve duke shtrënguar sanksionet ekonomike dhe duke ndërmarrë masa diplomatike me aleatët tanë dhe partnerët rajonalë”, thuhet në deklaratë./21Media

Back to top button