19 qytetarë dje u pickuan nga rriqrat në Malishevë

Të enjten, 19 qytetarë janë pickuar nga rriqrat në Komunën e Malishevës, të cilët më pas janë trajtuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Shpëtim Robaj”.
Këtë e bëri të ditur për rtv21.tv Afrim Krasniqi, drejtor i kësaj qendre. Ai tregoi se fatmirësisht, nuk ka raste ku pacientëve u është keqësuar gjendja shëndetësore nga pickimi.
Krasniqi po ashtu bëri të ditur se që nga fillimi i vitit 2022, në QKMF-në në Malishevë janë trajtuar 173 pacientë shkak i pickimit të rriqrave.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha, tha për rtv21.tv se gjendja paraqitet e qetë dhe numri i pickimeve nga rriqrat këtë vit është më i ulët në krahasim me vitin e kaluar.
Berisha sqaroi tutje se Komuna e Malishevës ka ndarë 60 mijë euro buxhet për dezinsektimin selektiv të zonave endemike këtë vit. Por problem mbetet repelimi i kafshëve që duhet të bëhet nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe Ministria e Bujqësisë, por që nuk është bërë, siç u shpreh ai, tash e katër vjet./21Media

Back to top button