192 qytetarë u helmuan nga uji në Kaçanik
Një delegacion qeveritar kryesuar nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku sot ka qëndruar në Kaçanik pas shtimit të numrit të pacientëve të cilët, tashmë pas rezultateve të IKSHPK-së, është konfirmuar se janë helmuar nga uji.
Ministria e Shëndetësisë ka informuar se nga data 5 korrik 2022 deri më sot në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik kanë kërkuar ndihmë mjekësore githsej 192 qytetarë, prej të cilëve shumica janë me simptoma të njëjta si: temperaturë, ethe, barkqitje, vjellje, mundim.
“Lajmi i mirë është fakti se të gjithë qytetarët e trajtuar janë në gjendje të përmirësuar shëndetësore, pa asnjë referim për hospitalizim. Nga mostrat e ujit të marra, analizat bakteriologjike kanë treguar se këto mostra të ujit nuk i plotësojnë standardet e ujit të pijshëm.”, është bërë e ditur në komunikatë.
IKShKP ka dhënë disa rekomandime:
1. Raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshimta në helmim, sipas legjislacionit në fuqi, përkatësisht Ligjit për Parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë (LNR: 02/L-109),
2. Të vazhdohet me informim të qytetarëve për vlimin e ujit, i cili përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit ose te shfrytëzohen resurset e tjera që kanë ujë të sigurt,
3. Të instalohet klorinatori në rezervuarin kryesor,
4. Të monitorohet cilësia e ujit, të vazhdohet me mostrim për analiza laboratorike-bakteriologjike dhe vlera e klorit (Cl) rezidual,
5. Marrja e të gjitha masave prë njoftim dhe vetëdijesim të qytetarëve për situatën e krijuar,
6. Si rekomandim kryesor ky sistem të sanohet dhe të futet nën menaxhimin e KRU “Bifurkacioni“.
Ndërkohë, deri në sanimin dhe eliminimin e të gjitha problemeve me ujin, MSh u ka bërë thirrje qytetarëve të komunës së Kaçanikut që si masë preventive të vlojnë ujin, i cili përdoret për pije dhe përgatitje të ushqimit ose të shfrytëzohen resurset e tjera që kanë ujë të sigurt./21Media