Shoqatat e gazetarëve reagojnë pas sulmeve të djeshme

Thirrje për ndërprerje të dhunës ndaj gazetarëve

Është koha që t’i jepet fund dhunës ndaj gazetarëve në Maqedoni, thuhet në deklaratën e përbashkët të shoqatave të gazetarëve, Federatës Evropiane të Gazetarëve dhe Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave. Katerina Mikullçak nga Qendra Evropiane, gjendjen me lirinë e mediave në vend e vlerësoi si tejet shqetësuese, ndërsa sulmet ndaj gazetarëve i karakterizoi si sulm të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë.

“Dëshirojmë që partive politike dhe të gjithë trupave dhe autoriteteve relevante në vend t’u bëjmë thirrje që t’i parandalojnë të gjitha sulmet eventuale dhe të ofrojnë ambient të sigurt për gazetarët dhe lirinë e shprehjes. U bëjmë thirrje edhe autoriteteve gjyqësore të pushojnë me praktikën e mosndëshkueshmërisë”., tha Katerina Mikullçak, QELSHM.

Kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve tha se sot deri në mesditë, ka pasur dhjetëra denoncime për sulme fizike ndaj gazetarëve. Por, siç thotë Tamara Çausidis, pritet që ky numër të rritet akoma më shumë

Sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës Evropiane të Gazetarëve, Rikardo Gutierez, kjo organizatë do të reagojë deri te politikanët evropianë, që këta të fundit të ushtrojnë trysni ndaj politikanëve në Maqedoni, për zbardhjen e të gjitha sulmeve ndaj gazetarëve.

Pas dhunës së mbrëmshme ndaj gazetarëve, reagoi edhe Këshilli për etikë në media, i cili kërkoi nga policia dhe prokuroria publike zbardhjen e menjëhershme të incidenteve.

“Ngjarjet e këtilla janë një dëshmi e rëndë për kushtet alarmante me të cilat ballafaqohen mediat. Sulmi mbi ta është sulm mbi demokracinë, gjë që paraqet krim ndaj shoqërisë. Në rast se autoritetet nuk marrin hapa seriozë për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, atëherë ata që kanë synim që me forcë t’i heshtin gazetarët dhe zërat e tjerë kritikë në shoqëri, do të inkurajohen edhe më shumë”, nga KEMM.

Agjencia për shërbime audio dhe audiovizuele, krahas dënimit të agresionit të mbrëmshëm, kërkon siguri për ekipet e gazetarëve, por edhe raportim profesional nga ana e mediave. Mbrëmë, shumë gazetarë nuk u kursyen nga dhuna e ushtruar nga disa persona që hynë në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për ta kundërshtuar zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit./21Media

Back to top button