20 milionë euro më pak importe nga Serbia që nga vendimi për taksën

Importi nga Serbia ka rënë pas masës 100 përqind

Dikur vlera e importit nga Serbia, vetëm brenda një dite ka qenë 1.2 milion euro, ndërsa që prej 6 nëntorit, kur është marr vendimi nga Qeveria e Kosovës për rritjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia, importi është vetëm 140 mijë euro.

Që prej marrjes së vendimit për rritjen e tarifës, efekti i saj është se ka rënë vlera e importit për 20 milionë euro.

Nga këto masa, zyrtarë të Doganës së Kosovës thonë se vlera e importit nga Serbia është mjaft e ulët.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci tha për kp se 2 deri 3 mijë euro kanë qenë rreth 48 dërgesa për import të lëndës së parë.

“Krahasimi në mes të dy periudhave, në mes të nëntorit 2017 dhe të vitit 2018, ku qeveria ka ndërmarrë masat mbrojtëse, tregon që rënia e vlerës së importit prej Serbisë, është 20 milionë euro deri në këtë moment”, tha Stavileci.

Ai ka treguar se importi nga Serbia ka rënë vetëm pas masës 100 përqind.

Zëdhënësi i Doganës ka treguar se më datën 6 nëntor ka filluar aplikimi i masës mbrojtëse prej 10 përqind, e cila ka qenë rreth dy javë, dhe në javën e parë me 10 përqind taksë, ka pasur një vazhdimësi të importit të rregullt, edhe përkundër masës prej 10 përqind, ndërsa në javën e dytë ka pasur një ulje të importit.

“Pas aplikimit të masës së dytë prej 100 përqind, më 21 nëntor, ne kemi vërejtur stagnim total të importit nga Serbia. Nëse dikur brenda një dite janë importuar nga Serbia rreth 1.2 milionë euro produkte, tani kjo ka rënë në disa qindra euro. Për arsye se në këto dy javët e para të aplikimit të masës prej 100 përqind, ne kemi vërejtur që kemi pasur vetëm 140 mijë euro importe prej Serbisë. Kjo është një vlerë shumë minimale. Të gjitha këto importe kanë qenë me vlera shumë të ulëta, 2 – 3 mijë euro kanë qenë rreth 48 dërgesa, të cilat kanë paguar këtë taksë pasi ka qenë edhe lëndë e parë”, tha Stavileci.

Mirëpo, pas këtij vendimi për mallrat serbe, ka pasur disa produkte ushqimore të kontrabanduara.

“Deri tani gjatë këtyre dy jave kemi pasur kapje të rasteve të kontrabandimit, kanë qenë disa kontrabandime me produkte të ndryshme. Ka pasur kontrabandim me vezë, kontrabandim me produkte ushqimore, por sidoqoftë nuk ka qenë në nivelin shqetësues”, theksoi ai.

Ai ndër të tjera ka thënë se pas vendimit të ministrit të MTI-së, rreth 17 kamionë janë kthyer mbrapa, në Serbi, me produkte të cilat kanë pasur mbishkrime “Kosova Metohiju”.

Back to top button