20 nokautet e Prengës përballë emrit të madh të Joshuas

Boksieri shqiptar Kristian Prenga ka marrë një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij, pasi do të përballet me ish-kampionin e botës në peshat e rënda, Anthony Joshua.
Prenga, i cili ka një bilanc prej 20 fitoresh dhe 1 humbjeje, me të gjitha 20 fitoret e arritura me nokaut, ka treguar se oferta për duelin ndaj Joshuas erdhi papritur, por e pranoi pa hezitim.
“U shtanga kur më telefonoi dhe më tha se kisha një mundësi për të luftuar me Joshuan”, ka thënë Prenga për revistën prestigjioze The Ring.
Boksieri shqiptar ka bërë të ditur se i ka thënë menaxherit të tij se do të përballej me çdo kundërshtar, por një duel me rrezik të lartë duhej të kishte edhe një shpërblim të madh.
“Do të luftoj me këdo, por nuk ka kuptim të marrësh një përballje me rrezik të lartë nëse nuk ka shpërblim, qoftë në para apo në mundësinë që kjo luftë krijon”, ka deklaruar ai.
Prenga ka thënë se kjo është mundësia që e ka pritur gjatë gjithë karrierës.
“Kjo ishte mundësia që kam pritur dhe Zoti më ka bekuar duke ma sjellë në jetë, ndaj le ta bëjmë”, është shprehur ai.
Pavarësisht se përballë do të ketë një prej emrave më të mëdhenj të boksit botëror, shqiptari beson në aftësitë e tij dhe paralajmëron një befasi të madhe.
“Jam një goditës i fuqishëm dhe mund të lëndoj çdo kundërshtar. Nuk i frikësohem asnjë njeriu dhe kjo ka shumë rëndësi në ring. Pasi ta nokautoj Joshuan, do të renditem më lart dhe do të bëhem më i njohur në boks”, ka thënë Prenga.
Ai ka shtuar se fuqia, madhësia fizike dhe atletizmi janë armët e tij kryesore.
Ndërkohë, Anthony Joshua, kampioni olimpik nga Lojërat e Londrës 2012, është një nga figurat më të mëdha të peshave të rënda. Britaniku 36-vjeçar ka qenë dy herë kampion i unifikuar i botës dhe synon ta mbyllë karrierën me suksese të tjera të mëdha.
Dueli ndaj Prengës shihet si një përgatitje për Joshuan para një përballjeje të mundshme me Tyson Furyn, por shqiptari synon ta shfrytëzojë këtë mundësi për të hyrë në skenën më të madhe të boksit botëror.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?