Gjilani organizon garat komunale në lëndën e matematikës

Kjo garë i paraprin garës tre ditore, e cila do të organizohet më datat 19, 20 dhe 21 maj

Në Komunën e Gjilanit të shtunën ka nisur të mbahen garat komunale në lëndën e matematikës me të gjitha përgatitjet që janë bërë nga Drejtoria Komunale e Arsimit dhe kësaj gare po i nënshtrohen 120 nxënës nga të gjitha shkollat e Gjilanit nga klasat VI, VII dhe VIII.

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka uruar të gjithë nxënësit për suksese, duke i falënderuar ata për traditën pozitive të krijuar në Gjilan, në rrafshin e dijes me rezultatet e nxënësve talent në matematikë.

“Posaçërisht na gëzon fakti që sot kemi të pranishëm edhe klubin “Paskal” nga Tetova, ku këtë vit me mbështetje të Komunës së Gjilanit organizojnë garën mbarëkombëtare, e cila do të mbahet në qytetin tonë”, tha Bunjaku-Rexhepi.

Ushtruesja e Drejtorit të Arsimit, Shqipe Kastrati Haziri, ka thënë se rritja e konkurrencës së dijes përmes garave si kjo e sotmja, është një faktor shumë i sigurt në ecjen për rritjen e cilësisë në shkolla.

Ndërsa, kryetari i Klubit “Paskal”, Agim Buklla, ka falënderuar Komunën e Gjilanit dhe kryetarin Lutfi Haziri, për mbështetjen e dhënë në organizimit të garave mbarëkombëtare shqiptare në Gjilan.

Rezultatet e testit publikohen gjatë ditës së sotme, pas orës 16:00, ndërsa ato zyrtare me datën 2 maj 2017.

Ndryshe, kjo garë i paraprin garës tre ditore, e cila do të organizohet më datat 19, 20 dhe 21 maj.

Back to top button