Kërkohet nga institucionet zbatimi i Ligjit të Punës

Qendra për Politika dhe Avokim kërkon nga institucionet kompetente që të sigurojnë zbatimin e legjislacionit të punës.

Me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) kërkon nga institucionet kompetente që të sigurojnë zbatimin e legjislacionit të punës.

“Është shumë shqetësuese që edhe 7 vjet pas hyrjes në fuqi , Ligji i Punës  vazhdon  të shkelet në masë të madhe sidomos nga punëdhënësit e sektorit privat, ndërsa zbatimi i marrëveshjes kolektive është suspenduar tërësisht në sektorin privat pas presioneve nga punëdhënësit”, thuhet në reagimin e kësaj qendre.

Fakt shqetësues  sipas QPA, është paisja e punëmarrësve me kontrata afatshkurtëra dhe informaliteti. “Mbi 70% e punëmarrësve kanë kontrata afatshkurtra të punës.  Sipas anketës së fuqisë punëtore të realizuar nga Agjencia e Statistikave, aktualisht në Kosovë janë të punësuar  350 mijë persona (Burra: 248,224, Gra: 75,284),  ndërsa kontribues aktiv në trustin pensional janë 269.900, ose mbi 80,000 punëmarrës nuk  kanë kontrata pune. Tek të rinjtë (15-24 vjeç) kjo përqindje është më e lartë, 51.6%  e tyre punojnë pa kontratë pune”, thuhet tutje në reagim.

QPA thotë se shkeljet më evidente të cilat kanë shoqëruar punëmarrësit gjatë vitit 2016 kanë qënë ndërprerja e kontratës,  mos respektimit të orarit të punës, mos kompenzimi i orëve shtesë të punës, të ndërrimit të natës, puna gjatë festave,  pushimit vjetor, pushimit  të lindjes dhe pushimit mjekësor.

“Siguria  dhe mbrojtja e shëndetit në vendin e punës  është brengosëse. Ministria e Punës dhe Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës në vitin 2015 kishin nisur fushatën vetëdijësuese rreth përmirësimit  të kushteve të sigurisë në vendin e punës. Megjithë këto masa të ndërmarra nga institucionet për zbatimin e ligjit, numri i punëtorëve të cilët kanë gjetur vdekjen në vendin e punës dhe të atyre që kanë pësuar lëndime të rënda trupore mbetet shqetësues.  Në vitin  2016,  9 punëmarrës kishin vdekur në vendin e punës, ndërsa 62 kishin pësuar lëndime të rënda ose 13 më shumë krahasuar me vitin paraprak, ndërsa vetëm 3 janë kompensuar për lëndimet e pësuara në punë . Numri i të lënduarve sipas sindikatave është më i lartë, mirëpo këto raste nuk raportohen për shkak të rrezikut që mund ta humbin vendin e punës”, theksohet tutje në reagim.

Në anën tjetër Inspektorati i Punës, si organ që garanton zbatimin e Ligjit të Punës, gjatë vitit 2016 ka realizuar 7285 inspektime, rreth 2 mijë më pak se në vitin 2015.

Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, deri në fund te vitit 2016, rreth 70 mijë biznese ishin aktive.  Inspektorati i Punës ka treguar përformancë të dobët, duke inspektuar vetëm 10% të bizneseve aktive.

Back to top button