22 sportistë do të marrin Bursa Olimpike “Paris 2024”

2 min read

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës ka marrë vendim që 22 sportistë të nëntë sporteve të ndryshme të marrin Bursa Olimpike “Paris 2024”.

Bursistët do të mbështeten me gjashtë mijë dollarë në muaj nga Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për periudhën janar 2022 – gusht 2024, ndërsa 2670 euro në muaj ose 85440 euro në 32 muaj, do t’i shtojë KOK-u nga buxheti i vet, bëhet e ditur nga faqja zyrtare e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Listës i prijnë dy kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, që do të mbështeten me nga 1 mijë dollarë në muaj, ndërsa pasojnë kampioni i Evropës në xhudo, Akil Gjakova, medalistja e bronztë e botës në xhudo, Loriana Kuka dhe i shtati në Lojërat Olimpike Tokio 2020, mundësi Egzon Shala, të cilët do të marrin nga 600 dollarë në muaj.

Me nga 450 dollarë do të përkrahen Laura Fazliu e Erza Muminoviq (xhudo) dhe Muhamet Ramadani (atletikë). Në grupin e parafundit me nga 300 dollarë janë: Flaka Loxha e Shpati Zekaj (xhudo), Nexhat Sahiti (shenjëtari sportive), Shpejtim Bajoku e Donjeta Sadiku (boks), Arti Krasniqi e Eda Zeqiri (not), Arnis Agushi (taekëondo) dhe Edi Dvorani (shigjetari).

Lista mbyllet me 250 dollarë nga Alaudin Suma e Gresa Bakraçi (atletikë), Patriot Behrami (boks), Albion Ymeri (triatlon) dhe Arbër Azemi (taekëondo).

Notari Arti Krasniqi do të fillojë të marrë bursën pas konfirmimit të Federatës së Notit të Kosovës dhe Federatës Ndërkombëtare të Notit (FINA), që i njëjti do të mund të përfaqësojë Kosovën në garat e organizuara nga FINA.

Përzgjedhja e 22 bursistëve (nëntë femra) nga 38 sa kanë aplikuar, është bërë nga komisioni i sportit në KOK, bazuar në rezultatet ndërkombëtare në vitet 2020 dhe 2021, univerzalitetin dhe gjithëpërfshirjen, derisa është miratuar nga BE i KOK-ut.

Lista e sportistëve dhe mbështetja e tyre mund të ndryshojë çdo gjashtë muaj, pas vlerësimit të performancës së tyre në garat ndërkombëtare nga komisioni i sportit./21Media