Erdogan rikthehet në AKP
Pas fitores në referendumin muajin e kaluar
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, i është bashkuar sot sërish radhëve të partisë në pushtet, AKP, gati tri vjet pas largimit të tij nga kjo parti.
Erdogan muajin e kaluar shënoi një fitore të ngushtë në referendumin për ndryshimet kushtetuese.
Sipas sistemit të vjetër, Presidenti pas zgjedhjes së tij duhej të largohej nga radhët e partisë që i takon dhe Erdoan u detyrua që të largohej nga funksioni i kryetarit të AKP-së, pasi që u zgjodh President.
Por pas fitores në referendum, ndryshimet i mundësojnë Presidentit të vendit të jetë edhe anëtar i një partie politike, gjë që i mundëson Erdoganit të kthehet në radhët e AKP-së.
Pritet që Erdogan do të zgjidhet sërish kryetar i AKP-së, në Kongresin e partisë, që do të zhvillohet më 21 maj.
Në anën tjetër, Komisari evropian për politikë të fqinjësisë dhe zgjerim, Johanes Han, deklaroi se Turqia, nën kryesimin e Erdoganit, ja ka kthyer së paku aktualisht shpinën procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Han me këtë rast tha se të gjithë tashmë e kanë të qartë se Turqia po largohet nga perspektiva evropiane.
E menjëhershme ishte përgjigja e Erdoganit, i cili porositi Bashkimin Evropian se unioni duhet të hap kaptina të reja në procesin e negociatave për anëtarësimin e Turqisë, ngase në të kundërtën Ankaraja do t’ia kthejë shpinën Brukselit.
Nëse Bashkimi Evropian nuk hap kaptina të reja, atëherë Turqia nuk ka më se çka të bisedoi me unionin dhe do ti thotë atij lamtumirë, tha Erdogan./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?