Cazeneuve: BE-ja nuk do të mbijetonte fitoren e Marine Le Penit
Kryeministri i Francës tërheq vërejtjen
Bashkimi Evropian me gjasë nuk do të ishte në gjendje të mbijetonte pasojat e fitores së kandidates së ekstremit të djathtë për President të Francës, Marine Le Pen, deklaroi kryeministri i Francës, Bernard Cazeneuve.
Në komentin shkruar për gazetën Liberasion, Cazeneuve ndër të tjera shkroi se Bashkimi Evropian, i dobësuar pas Brexit, nuk do të mund të përballonte goditjen e radhës, e cila do të pasonte nëse Franca do të qeverisej nga një Qeveri eurofobike.
Ai me këtë rast sërish i bëri thirrje qytetarëve francezë që të dielën, më 7 maj, në rrethin e dytë të votojnë për kandidatin e qendrës, Emanuel Makronin.
Përndryshe, gazeta Liberasion ka paralajmëruar se do të shtyp një numër special të gazetës më 16 faqe shtesë kundër partisë Fronti Kombëtar, të kryesuar nga Le Pen.
Ndërkohë, Le Pen është akuzuar sot për plagjiaturë, pasi që pretendohet se fjalimin të cilin ajo e mbajti të hënën në Paris, e ka vjedhur pothuajse fjalë për fjalë nga ish-rivali i saj konservator në rrethin e parë të zgjedhjeve, Fransoa Fillon.
Disa fragmente të fjalimit të saj janë një përsëritje pothuajse fjalë për fjalë e një fjalimi, të cilin Fijon e kishte mbajtur më 15 prill.
Kjo akuzë u ngrit nga një kanal në JuTjub, kanal ky i cili ishte hapur nga mbështetësit e Fillonit, fillimisht me qëllim që të sulmohet Makron, para rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 23 prill, pas të cilit Fillon u eliminua nga gara.
Në bazë të anketave më të reja në Francë, Makron konsiderohet si favorit për të fituar rrethin e dytë që zhvillohet të dielën, pasi që 60 për qind e të anketuarve theksuan se e mbështesin kandidatin e qendrës për President të Francës./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?