SHBA po shyn Gadishullin e Koresë drejtë luftës bërthamore

Peniani me akuza të reja në adresë të Uashingtonit

Koreja e Veriut ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po nxisin një luftë bërthamore në Gadishullin e Koresë, pas manovrave të përbashkëta ushtarake të forcave amerikane me ato të Koresë së Jugut dhe Japonisë.

Peniani kumtoi se aeroplanët bombardues amerikanë gjatë këtyre manovrave kanë stërvitur hedhjen e bombave bërthamore mbi caqe të mëdha, në kohën kur Presidenti amerikan, Donald Tramp, ka bërë thirrje për sulme parandaluese bërthamore kundër Koresë së Veriut, shkruan rtv21.tv

“Provokimet e papërgjegjshme ushtarake po e shtyjnë Gadishullin e Koresë drejtë një lufte bërthamore”, kumtoi agjencia veri-koreane e lajmeve, KCNA.

Dy aeroplanë bombardues amerikan, B1, u dërguan të hënën në Gadishullin e Koresë, për të marrë pjesë në manovrat e përbashkëta me forcat ajrore të Koresë së Jugut dhe të Japonisë.

Në kumtesën e forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Koresë së Jugut u theksua se aeroplanët bombardues amerikanë u dërguan në Gadishullin e Koresë, si reagim ndaj provokimeve dhe kërcënimeve nga ana e Penianit.

Ndërkohë, një zyrtar i ministrisë amerikane të Mbrojtjes, deklaroi se sistemi i mbrojtjes anti-raketore, TAD, të cilin ushtria amerikane e ka vendosur në Korenë e Jugut, tani është tërësisht operacional.

Vetëm disa orë pas konfirmimit se ky sistem është në funksion reagoi edhe Kina, me Pekinin i cili kërkoi largimin e këtij sistemi nga Gadishulli i Koresë.

Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Kinës deklaroi se Pekini kundërshton vendosjen e sistemit TAD dhe se Kina do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme, për të mbrojtur interesat e veta në rajon./21Media

Back to top button