25-vjetori i Epopesë së UÇK-së u shënua edhe në Shkup

Sot, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u mbajt një akademi solemne-përkujtimore për shënimin e 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe rënien heroike të familjes Jashari në Prekaz. Ngjarja u organizua nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup.
Drejtori i Institutit, Skender Asani tha se Adem Jashari është bërë simbol i rezistencës së organizuar kundër pushtuesve serbë.
“Ne jemi me fat që këtë figurë të madhe të kombit, e patëm edhe në mesin tonë, këtu në Shkupin Dardan në fillm të viteve 90-të. Është meritë e shkupjanëve, parasegjithash e atyre që ishin shokë dhe bashkëpunëtorë të Adem Jasharit, të cilët pa i llogaritur pasojat dhe rreziqet, i ofruan strehim dhe logjistikë, njeriut i cili më vonë do të shkruaj historinë e lavdishme të Kosovës me gjakun e vet dhe të familjes, duke u bërë kështu simbol i rezistencës së organizuar kundër pushtuesve serbë.”, për të konkluduar se: “Shkupi dhe Adem Jashari do të jenë të lidhur bashkë në një gjerdan kujtimesh të pashlyer, sikur që janë të pashlyera gjurmët mbi të cilat kaloi karvani i Lëvizjes sonë kombëtare në kalldërmin e Shkupit”, u shpreh ai.
Ndërkaq, ambasadori i Kosovës në Shkup, Florian Qehaja përmendi sukseset e shtetndërtimit të Kosovës, duke u ndalur veçmas në rolin paqësor që ka FSK-ja në aleancën veri-atlantike.
Mysafire në këtë ngjarje ishte edhe drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri” të Prishtinës, Teuta Shala-Peli, e cila në kumtesën e saj vuri në pah rolin e madh që ka ky përvjetor që e gjen Kosovën të konsoliduar si shtet, duke e realizuar kështu amanetin e komandantit legjendar, Adem Jashari.
Ndërkaq, hulumtuesi shkencor i Institutit, Zeqirija Ibrahimi, siç u bë e ditur në komunikatë, e lexoi kumtesën “Ademët e Lirisë”, duke ndërtuar një aluzion me esenë e Erih Fromit “Për padëgjueshmërinë” e Adamit/Ademit, që ishte shkak për fillimin e historisë, të cilën e ndërthuri me Ademët shqiptarë, që ai i kishte regjistruar në emrat e Adem Demaçit dhe Adem Jasharit.
Sipas tij, “Ademët tanë, njësoj si Ademi i Parë ose si Prometheu e kryen detyrën e tyre”.
Ngjarja u begatua edhe me pjesëmarrjen e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare, drejtuar nga artisti Shkodran Tolaj.
Sot është dita e dytë e Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë ditës, homazhe kanë bërë edhe krerët opozitarë në Kosovë dhe qytetarë të shumtë nga vise të ndryshme.

Back to top button