250 të burgosur në grevë urie, kërkojnë të drejtat e barabarta me gratë
Rreth 250 të burgosur në burgun e Idrizovës, tanimë dy ditë me radhë kanë hyrë në grevë urie, pohon një i burgosur që kontaktoi TV21. Thotë se po refuzojnë çdo ushqim që u servon burgu. Arsyeja për këtë siç na tha, është se ndjehen të diskriminuar nga vendimi i fundit që grave të burgosura t’u jepet fundjava e lirë, pavarësisht nëse kanë apo jo vepër tjetër aktive.
“Për momentin jemi në grevë urie, nuk e marim ushqimin, dje gjithë ditën nuk e kemi marë. Po grave tani ua kanë dhënë të drejtën të shkojnë në shtëpi për vikend, kur kanë edhe ndonjë vepër aktive, përpos asaj kur kanë gjyq, e për burrat nuk vlenë. Ja përshembull Jankullovska këto ditë që doli”, tha një i burgosur.
Të burgosurit kanë dërguar ankesë me shkrim me nënshkrime të mbledhura, por thonë se e njëjta u është refuzuar.
“Kur shkuam te ato të ankohemi, thanë e pritshim këtë gjë, e dinim se sa t’i japim asaj, do të kërkoni edhe ju. Thash normal se do të kërkojmë, se të njejtat gjëra janë ato.
-Edhe? Zgjidhja?
-Zgjidhja asgjë thotë se nuk varet prej neve, dhe për këtë shkak ne mbajmë grevë. E bëmë me nënshkrime, i mblodhëm të gjitha nënshkrimet, peticion bëmë, e dorëzuam por na e refuzuan. Prandaj e lëshuam këtë grevën.
-Sa persona jeni në grevë?
-250 veta”- thotë një tjetër.
Burimet tona brenda administratës së burgut të Idrizovës na konfirmuan grevën duke na thënë se ankesat e të burgosurve i kanë dërguar në Drejtorinë për Zbatimin e Sanksioneve dhe te Ministria e Drejtësisë, dhe se presin përgjigje nëse do t’i pranojnë të njëjtat. Televizioni 21 gjatë gjithë ditës u përpoq të marrë përgjigje nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve, por nuk morëm asnjë qëndrim. Zyrtarë nga burgu që nuk pranuan të citohen na thanë se vendimi i fundit për gratë e burgosura ka ardhur përshkak se deri tani të njëjtat kanë qenë të diskriminuara në të drejtat e tyre./TV21