29-vjetori i masakrës në Srebrenicë, DASH: Duhet dënuar mohimi i gjenocidit
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka përkujtuar gjenocidin e forcave serbe në Srebrenicë 29 vjet më parë duke thënë se qëndrojnë pranë të gjithë atyre që i humbën më të dashurit e tyre në njërën nga masakrat më të mëdha të kryera në tokën evropiane pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) Matthew Miller, ka thënë se në këtë ditë solemne duhet të dënohet mohimi i gjenocidit dhe të ripërkushtohen për të punuar në të gjithë komunitetin ndërkombëtar për të parandaluar mizoritë masive në të ardhmen.
“Sot bëhen 29 vjet nga gjenocidi i Srebrenicës. Populli amerikan i bashkohet popullit të Bosnjë-Hercegovinës në nderimin dhe zinë për më shumë se 8.000 burra dhe djem që u vranë në korrik 1995. Ne qëndrojmë me viktimat, të mbijetuarit dhe familjet që vazhdojnë të ndjekin drejtësinë për të dashurit e tyre. Ambasadori i SHBA-së në BeH Michael Murphy dhe zëvendësi i ambasadorit të Përgjithshëm për Drejtësinë Penale Globale David Mandel-Anthony janë sot në Srebrenicë për të nderuar viktimat dhe për të inkurajuar pajtimin”, ka thënë Miller.
Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbeten partner i palëkundur për popullin e Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa ata kërkojnë një të ardhme më të ndritshme dhe më të drejtë.
Ndryshe, sot shënohet gjithashtu Dita e parë Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë, e caktuar së fundmi nga Kombet e Bashkuara për t’u shënuar çdo vit më 11 korrik në përkujtim të 8 mijë viktimave të pafajshme që u vranë nga forcat serbe.