Veseli: Kemi vendosur që t’ia kthejmë mandatin qytetarit

Për përfaqësuesit e bizneseve politika i ka fajet për shtangimin e ekonomisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës së tij në Prizren tha se këto tri vitet e kaluara vendi ka pasur mungesë të zhvillimit ekonomik.

Në një takim me përfaqësues të bizneseve të vogla dhe të mesme të Prizrenit, Veseli përmendi edhe bilancin tregtar e që sipas tij Kosova 90 % importon ndërsa vetëm 10 %  ka eksport.

Duke folur për vendimin që ta votojnë mocionin e mosbesimit iniciuar nga partitë opozitare Veseli tha se kjo nuk ka qenë e lehtë por kanë vendosur që mandatin t’ia kthejnë qytetarit.

“Vendimmarrja nuk ka qenë e lehtë për të shkuar në zgjedhje,  por disa nuk duhet ta kenë shpirtin e ngushtë të mendojnë vetëm për vete. Kur kemi shkuar në zgjedhje që kemi marr vendim kemi menduar çdo herë te qytetari që na ka votuar, që  na ka sjellë në pushtet. Nëse ai na ka votuar, na ka veshur me petkun e  pushtetit pse t’i frikësohemi edhe kthimit të mandatit tek ai”, tha Veseli, duke shtuar se është populli ai që vendos nëse do t’i përkrahin apo jo.  Krye parlamentari në largim tha se politika ka kuptim, vetëm nëse iu ndihmohet njerëzve, e sidomos të rinjve.

Sipas tij, Kosova ka pasuri të mrekullueshme që ia ka dhënë Zoti dhe natyra. Ndërsa shprehu shqetësimin se  ka shumë të rinj por jo të gatshëm për treg të punës.

Ndërkohë përfaqësuesit e bizneseve në Prizren i thanë Veselit se politika i ka fajet për shtangimin e ekonomisë.

Kryetari i Shoqatës së Zejtarëve në Prizren, Sami Dida, tha se kanë pritur gjatë për lehtësira në biznese ndërsa siç tha ai pakoja e dytë fiskale duhet të funksionalizohet.

Sipas Didës, këto vonesa në kryerjen e detyrave nga politikanët po i dëmtojnë bizneset.

“Po shohë shtangim kryesor edhe më të madh në sferën e ekonomisë. Nëse e marrim me fol jemi në disa pika , që duhet me u fokusua. Unë gjithsesi besoj dhe është e mundshme që shteti  i Kosovës të orientohet në politika për stimulimin e prodhimeve dhe prodhuesve. Në shumtën e rasteve ndoshta nuk është nevoja vetëm me pare të subvencionohen firmat,  por të krijohen kushte dhe mundësi . Politika stimuluese për të  mbrojtur këta pak prodhues që i kemi. Kemi shumë modele shumë modalitete si munden me u stimulua”, tha Dida.

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli është takuar edhe me anëtarë të degës së PDK-së në Prizren dhe Zhur./21Media

Back to top button