Si pasqyrohet Kosova në reportazhin e France 24?

Televizioni i famshëm francez France 24 i ka kushtuar një reportazh Kosovës, shtetit më të ri në botë

Gazetarët francezë, Severine Bardon dhe Michael Sztanke e kanë vizituar Republikën e Kosovës për ta bërë këtë reportazh, dhe fokusi i tyre ishte në marrëdhëniet etnike brenda shtetit.

Në televizionin francez, Kosova u prezantua si shteti më i ri, me 114 njohje nga 193 shtete të botës, që u nda nga pushtimi serb me sulmet e “rebelëve” në caqet serbe, si dhe ndihmën e NATO-s. Prezantuesi televiziv e përshkruan Kosovën si një shtet jofunksional me tensione etnike, me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë, një shtet që varet nga 600 milionë euro ndihma nga jashtë çdo vit, madje duke e përshkruar shtetin si qendër trafikimi, përfshirë trafikimin e organeve.

Qysh prej pas luftës marrëdhëniet mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës kanë qenë të acaruara. Kjo mund të vërehet më së miri në qytetin e Mitrovicës, që është i ndarë në dy pjesë, thuhet në reportazh. Në pjesën jugore banojnë shqiptarët, flitet gjuha shqipe me alfabet latin, dhe përdoret Euro-ja, ndërsa në pjesën veriore banojnë serbët e Kosovës, flitet serbishtja me alfabet cirilik, dhe përdoret dinari. Papunësia në qytetin e Mitrovicës është rreth 70%. Shkruan rtv21.tv.

Për tu kujdesur për sigurinë dhe marrëdhëniet ndëretnike, ende janë të pranishme forcat e KFOR-it në Kosovë, por numri i tyre është zvogëluar masivisht qysh pas luftës kur kishin ardhur 55 mijë trupa të KFOR-it, tani të pranishme në Kosovë janë vetëm 4.300 trupa, përshkruhet në reportazh.

Sipas televizionit francez shtetin e kanë zaptuar të korruptuarit, që nuk po punojnë në përparimin e shtetit, mirëpo gjenerata e re që po vjen është shpresa e Kosovës. Shembulli që morën gazetarët francezë ishte kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, një 39 vjeçar i diplomuar në Harvard, i cili ka 3 vite që është kryetar i kryeqytetit të Prishtinës.

Një e treta e popullsisë është nën moshën 15 vjeçare, andaj ky brezi i ri premton një epokë të re për Republikën e Kosovës, thuhet ndër tjerash në reportazhin e France 24./21Media

 

Back to top button