Mustafa: PDK-ja e shfrytëzoi opozitën si vegël

Mustafa nuk e priste ‘tradhtinë’ e PDK-së

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa në një intervistë për “Speciale” të RTV21, tha se nuk e ka pritur një veprim të tillë që partnerët e koalicionit ta votojnë mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

“Kjo qeveri ka qenë qeveri e koalicionit, në të cilën themi aksionarë kryesor kemi qenë ne, LDK-ja dhe PDK-ja me numër të njëjte të ministrave  dhe përgjegjësi të ndara”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se ai ka menduar  se PDK-ja edhe përkundër asaj që mund të kenë një lloj rivaliteti me LDK-në, megjithatë i respektojnë ministrat dhe përgjegjësitë e tyre, shkruan rtv21.tv

“Në qoftë se ka nevojë të bëhet mocioni, atëherë do të duhej që PDK-ja ta bënte vet këtë dhe jo që të shfrytëzonte opozitën si vegël, ose të bëhet vet vegël e opozitës për rrëzimin e Qeverisë”, shtoi Mustafa.

Sipas tij, ky nuk është një mocion i tradhtisë për ta, por nëse është tradhtuar dikush atëherë janë tradhtuar vet ministrat ose anëtarët e kabinetit të PDK-së.

“Si veprime nuk janë veprime të mira, sepse ato ishte dashur të jenë të hapura edhe të diskutohen më herët që ata kanë tendencë të bëjnë të tillë, sepse më vonë u pa që gjithë ata e kanë përgatitur këtë, sepse dolën edhe deklaratat e Kryetarit të Kuvendit dhe përgatitjet e Presidentit”, përfundoi Mustafa./21Media

Back to top button