3 mijë e 650 shtetas të huaj u punësuan vitin e kaluar në Kosovë

Sipas statistikave të “Kos Data”, në vitin 2023 në Kosovë kanë punuar rreth 4 mijë shtetas të huaj, ku sipas kësaj vetëm nga Turqia u punësuan 1 mijë qytetarë. Sipas njohësve te rrethanave, këta punëtorë të cilët vijnë nga vende të ndryshme të Evropës, e shfrytëzojnë Kosovën vetëm si një vend tranzit, dhe kjo po shkakton pasiguri tek bizneset.

Pagat e ulëta dhe kushtet e papërshtatshme të punës kanë nxitur largimin e shumë qytetarëve nga Kosova, duke shkaktuar kështu një mungesë të theksuar të fuqisë punëtore. Për pasojë shumë biznese u detyruan të marrin punëtorë nga vendet e treta. Sipas statistikave të publikuara nga ‘’Kos Data” gjatë vitit 2023 në Kosovë u punësuan rreth 4 mijë shtetas të huaj.

Vitin e kaluar Turqia dominoi me 1 mijë të punësuar në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se angazhimi i punëtorëve nga shtetet e tjera, paraqet pasiguri për bizneset, për shkak të mundësisë së largimit të tyre.

“Prapë mund të jetë sfidë për bizneset për arsye se nuk munden bizneset, pra bizneset nuk po gjejnë mundësi të ketë siguri, për shkak se ende kjo fuqi punëtore që po importohet në Kosovë nuk është një fuqi punëtore që do të rrijë për kohë të gjatë në Kosovë dhe të punojë, sidomos prej atyre që vijnë prej Indie, Napali apo vendeve të tjera. Kjo është prapë sfidë për bizneset, sepse nuk e ka një siguri, që do të gjejë apo do ta mbulojë atë mungesën e fuqisë punëtore që ka çoftë edhe fuqisë punëtore të importuar”, tha për RTV21 Rafuna.

Ekonomisti Adem Qorolli, vlerëson se punëtorët e shteteve të tjera e shfrytëzojnë Kosovën vetëm si tranzit.

“Është diçka e pritshme edhe pse të dhënat ende janë të ulëta dhe nuk janë reale, sepse kemi ende informalitet të fuqisë punëtore në Kosovë, por realisht këtë vit pritet të ketë edhe më shumë biznese tashmë atë që e kanë kontraktuar, dhe zgjidhja e vetme është që të sjellin punëtorë nga vende të ndryshme…janë disa vende të varfura të pjesës afrikane dhe Azisë, ata janë duke e shfrytëzua Kosovën vetëm si tranzit, ata punëtorë që janë duke e gjetur veten dhe janë më seriozë për fuqi punëtore janë nga Turqia por ata vinë me projekte të sakta, vijnë për një periudhë të shkurtër, përfundojnë punën dhe pas e lirojnë vendin”, tha Qorrolli për RTV21.

Bizneset druajnë se me liberalizimin e vizave për Kosovën, kriza me mungesën e punëtorëve mund të thellohet./21Media

Back to top button