Historike – Talat Xhaferi, kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut

(Lajm i përditësuar)
Me 65 vota pro dhe 3 kundër u votua Qeveria teknike e Maqedonisë së Veriut në krye me Talat Xhaferin.
Me këtë, Xhaferi hyn në histori si kryeministri i parë shqiptar që do të udhëheq Maqedoninë e Veriut.
Xhaferi do të jetë kryeministër në 100 ditët e ardhshme.
Talat Xhaferi tregon parimet e Qeverisë teknike
Talat Xhaferi i cili pritet të zgjedhet mandatar i Qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut, gjatë fjalimit të tij shpalosi parimet mbi të cilat do të bazohet puna e Qeverisë.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka mandat për realizimin e prioriteteve të theksuara në bazë të përcaktimeve strategjike të përkufizuara në mënyrë të qartë dhe konsensuale të qytetarëve për integrimin e plotë dhe të përshpejtuar dhe anëtarësimin e plotfuqishëm të shtetit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030; për funksionimin e suksesshëm dhe kontributin për sigurinë e përbashkët shtetërore, rajonale dhe evropiane kolektive në kuadër të Aleancës së NATO-s; për zbatimin efikas të politikave të suksesshme për avancimin e standardit jetësor të qytetarëve dhe përshpejtimin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik përmes indikatorëve të qartë në vitin 2024, si dhe vazhdimin e plotë të politikave, instrumenteve dhe vendimeve të suksesshme për të mbështetur nevojat dhe prioritetet sociale, shëndetësore, arsimore, kulturore dhe civile të të gjithë qytetarëve. Puna e Qeverisë do të bazohet në këto parime:
– Respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut
– Përgatitja dhe zbatimi i suksesshëm i zgjedhjeve të rregullta presidenciale dhe parlamentare të lira, të drejta, demokratike dhe konkurruese në përputhje me standardet më të larta të Bashkimit Evropian, OSBE-së/ ODIHR-it dhe Këshillit të Evropës
– Vazhdimësia në zbatimin e politikave dhe programeve të suksesshme të Qeverisë në vitin 2024
– Mbajtjen e shkallës së lartë të dialogut, transparencës, llogaridhënies dhe inkluzivitetit në punën e vet dhe komunikimin me të gjitha institucionet dhe qytetarët
– Mbajtjen dhe avancimin e partneritetit strategjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, Aleancën e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës
– Zbatimin e plotë të parimeve dhe vendimeve të Marrëveshjeve të rëndësishme për marrëdhëniet ndëretnike, kohezionin dhe stabilitetin e brendshëm dhe integrimin e suksesshëm euroatlantik”, ka thënë Xhaferi.
Xhaferi tha se detyrën e kryeministrit do ta vlerësojë dhe do t’i qaset në mënyrë profesionale
Talat Xhaferi i cili pritet të zgjedhet mandatar i Qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut, fjalimin e tij para deputetëve e ka filluar në gjuhën shqipe.
Ai ka thënë se edhe pse mund të quhet qeveri kalimtare, për të si mandatar i kësaj qeverie, nuk ka dallim nëse është fjala për një ose 100 dite të qeverisë teknike.
Xhaferi ka deklaruar se këtë detyrë do ta vlerësojë dhe do t’i qaset në mënyrë profesionale.
“Unë dhe qeveria që do të udhëheq do të vazhdojmë më aplikimin e politikave të kaluara. Puna e qeverisë do të zbatohet në parimin e respektimit të plote të ligjeve, përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta parlamentare. Do ketë vazhdimësi në zbatimin e praktikave dhe programeve të suksesshme, mbajtjen dhe avancimin e aktivitetit strategjik me Bashkimin Evropian. Për të qenë konsekuentë ndaj këtyre veprimeve, qeveria do të fokusohet në aktivitetin politik e shtetëror. Sa i takon integrimit në BE, qeveria do t’i respektojë të gjitha proceset e nisura”, ka thënë ai.
Fillon seanca për zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër i parë shqiptar
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka filluar seanca plenare për zgjedhjen e Qeverisë teknike, me çka Talat Xhaferi pritet të zgjidhet kryeministër i parë shqiptar, transmeton TV21.
Për herë të parë një kryeministër shqiptar në Maqedoni, sot votohet Qeveria teknike
Pas shtatë vjetësh si kryetar i Kuvendit, Talat Xhaferi po përgatitet të ulet në kolltukun e kryeministrit.
Kryeparlamentari i deritanishëm mori mandatin nga Presidenti Stevo Pendarovski për formimin e Qeverisë kalimtare. Detyra e tij kryesore, por edhe e kësaj Qeverie, është organizimi i zgjedhjeve të drejta dhe demokratike. Xhaferi do të jetë kryeministër në 100 ditët e ardhshme.
Në ora 11:00 do të fillojë seanca me një pikë të vetme të rendit të ditës – zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila do të funksionojë deri në zgjedhjen e qeverisë së re në zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 8 maj.
Talat Xhaferi në cilësinë e mandatarit i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë, përfshirë edhe programin qeverisës.
Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi nëpërmjet një postimi në Facebook ka shpalosur emrat të cilët do të jenë pjesë e kabinetit të kryeministrit të parë shqiptar.
Emrat e propozuar nga BDI-ja për kabinetin qeveritar teknik janë Artan Grubi- ministër për Sistemin politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Bujar Osmani- ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi-ministër i Financave, Jeton Sheqiri- ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Ndërsa zëvendësministër i Arsimit është propozuar Agim Nuhiu, zëvendësministër i Transportit dhe Lidhjeve Bekim Rexhepi dhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme Nazim Bushi.
Sa i takon VMRO-DPMNE-së, partia e propozoi Pançe Toshkovskin për ministër të Brendshëm, Gjoko Velkovskin për Punë dhe Politikë Sociale, Elena Petrova- zëvendësministre shtesë për Financa, Stefan Andonovski për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Cvetan Tripunovski për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave.
Për ministra pa portofol janë propozuar Bojan Mariçiq për çështje evropiane, Fatmir Bitici për çështje ekonomike dhe Slavica Grkovska për politika për qeverisje të mirë.
Shefi aktual i kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, Mitko Bojmacaliev është kandidat për zëvendësministër shtesë të Punëve të Brendshme, ndërsa në postet ministrore në kulturë, mjedis jetësor, transport, mbrojtje dhe bujqësi, janë propozuar ministrat e deritanishëm të LSDM-së.
VMRO-DPMNE ka njoftuar se do të jetë e pranishme në sallën e Kuvendit, por nuk do të votojë Qeverinë teknike. Lideri i kësaj partie Hristijan Mickoski tha se nuk pret komplikime gjatë Qeverisë teknike.
Ndryshe, në vendin e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, të cilin e mbante Talat Xhaferit është zgjedhur Jovan Mitreski.
Qeveria që do të votohet sot do të jetë e treta dhe me gjasë e fundit e karakterit të tillë. E para u zgjodh në vitin 2015 nën udhëheqjen e Emil Dimitriev, ndërsa e dyta në vitin 2020 nën udhëheqjen e Oliver Spasovskit, por mandati i saj u zgjat për arsye të rrethanave me pandeminë COVID-19. Qeveria teknike do të funksionojë deri në zgjedhjen e qeverisë së re.