Mbahen ushtrimet e shpëtimit në raste emergjente në Aeroport

Rreth 200 anëtarë të stafit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kanë marrë pjesë sot në ushtrimin gjithëpërfshirës për raste emergjente

KFOR-i në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Kompaninë “LIMAK”, kanë organizuar këto aktivitete, i cili qëllim kryesor ka verifikimin e gatishmërisë së forcave, ndërveprimin midis KFOR-it dhe agjencive vendore, si dhe shpëtimin e sa më shumë jetëve në rast të fatkeqësive apo aksidenteve, të cilat mund të ndodhin brenda territorit të aeroportit.

Drejtori i Terminalit, Adem Gashi tha se këto ushtrime janë obligim i aeroportit, që me këtë rast të verifikojnë kapacitetin e aftësitë e zjarrfikësve dhe shërbimet e tjera, në raste të ndonjë situate emergjente.

“Ky ishte ushtrimi i radhës, i cili mbahet çdo dy vite. Çdo aeroport e ka obligim në bazë të standardeve ndërkombëtare, gjegjësisht në bazë të standardit, që çdo dy vite organizohet një ushtrim i tillë, me qëllim të verifikimit të ndikimit të aftësive të shërbimit të zjarrfikësve dhe shërbimit të kërkimit të aeroportit, si dhe shërbimeve të tjera, të cilat e rrethojnë aeroportin me qellim që të verifikohen kapacitetet se sa është shërbimi i gatshëm në rast të fatkeqësisë ajrore, e cila mund të ndodh në territorin e aeroportit, që numri i udhëtarëve të cilët gjenden në aeroplan, të shpëtohet në numër sa më të madh”, tha ai.

Gashi u shpreh se skenari ka qenë me gjithsej 75 pasagjerë dhe me anëtarë të ekuipazhit, ndërkaq në bashkëpunim edhe me agjencionet e tjera, kanë marrë pjesë rreth 200 anëtarë të stafit të aeroportit.

“Sa i përket numrit të personave, skenari ka qenë me 75 pasagjerë dhe me anëtarë të ekuipazhit. Një aeroplan i mesëm, i cili do të thotë është një kategori që fluturojnë dhe aterojnë në Prishtinë, si mesatare e këtij aeroplani merret kjo dhe ky është një numër diku 70% të udhëtarëve, të cilët gjenden në një aeroplan. Pjesëmarrës në ushtrim janë diku 200 anëtarë të stafit të aeroportit si dhe agjencione të tjera siç është agjencioni për emergjenca të Kosovës, shërbimi policor, shërbimet ambulatore, të komunave që e rrethojnë aeroportin e Prishtinës, spitali, do të thotë Qendra Emergjente e QKUK-së dhe shërbime të tjera, të cilat janë të parapara sipas emergjencave të aeroportit”, deklaroi ai.

Gjatë këtyre ushtrimeve u stimulua dalja e aeroplanit jashtë pistës, lëndimi i pasagjerëve dhe situata tensioni në mes të pasagjerëve dhe personelit.

Back to top button