Afro 4 mijë e 500 lindje në Gjinekologjinë e QKUK-së gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit

Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka njoftuar se janë realizuar 4,423 lindje gjatë periudhës janar – 15 qershor 2026.
Sipas të dhënave të klinikës, nga numri i përgjithshëm i lindjeve, 3,090 janë kryer në mënyrë spontane, ndërsa 1,333 të tjera me prerje cezariane.
“Në këtë periudhë, ekipet profesionale të klinikës kanë trajtuar me sukses edhe foshnjat e lindura para kohe, ku 318 prej tyre, pas kujdesit intensiv dhe trajtimit të specializuar, janë liruar në gjendje të mirë shëndetësore për në shtëpi”,thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, kujdesi shëndetësor ofrohet nga ekipe multidisiplinare të përbëra nga mjekë specialistë, infermierë dhe mamitë, të cilët kujdesen për menaxhimin e shtatzënive, lindjeve dhe trajtimin e rasteve të ndryshme gjinekologjike e obstetrike.
Institucionet shëndetësore vlerësojnë se shëndeti i gruas dhe i të porsalindurit mbetet ndër prioritetet kryesore të sistemit shëndetësor, duke e konsideruar investimin në këtë fushë si investim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e familjes dhe zhvillimin e shoqërisë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?