35 fëmijë të sëmurë në një çerdhe, dyshohet se janë helmuar

 

35 fëmijë nga mosha 2 deri në 4 vjeç me simptoma të njëjta kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Kumanovës.

Fëmijët janë nga tre objekte të çerdhes “Angell Shajçe”. Pediatri Agron Sulejmani për TV21 tha se pacientët e vegjël janë në gjendje stabile, janë paraqitur në spital me të vjella, barkqitje dhe temperaturë të lartë. Pesë nga fëmijët janë duke u trajtuar në kushte spitalore, të tjerët janë në mjekim shtëpiak.
Dyshohet që fëmijët janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar në kopsht, e për këtë arsye është mbyllur kuzhina e cila përgatitë ushqim për këto tre objekte të Kopshtit, ndërkaq puna në kopshte po vazhdon me fëmijët e tjerë.

“Të premten përpara fundjavës te dy fëmijë përpara drekës janë paraqitur simptoma, si ngritje e temperaturës dhe vjellje kështu që i kemi thirrur prindërit dhe këta fëmijë janë marrë nga kopshti. Unë nuk e kam ditur çfarë ka ndodhur gjatë fundjavës, askush nuk më ka informuar, as nga spitali, se deri të premten në mbrëmje ishin paraqitur rreth 30 fëmijë. Ne që në orët e mëngjesit thamë që mos të përgatitet ushqim aty, gjithsesi inspektorati e mbylli atë kuzhinë. Fëmijët mund të vijnë, ushqimi do të përgatitet në kuzhinë tjetër”, tha Marina Aleksovska, drejtoreshë e çerdhes “Angell Shajçe”.

Prej mëngjesit, në çerdhe janë inspektorët e Inspektoratit Shëndetësor dhe nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari dhe një epidemiolog nga Qendra për Shëndet Publik-Kumanovë. Drejtori i kësaj qendre Arif Latifi tha se deri nesër mund të ketë rezultat nga strishot e marra dhe të mësohet arsyeja e vërtetë e ngjarjes.

“Ekipet tona mjekësore kanë dalë në terren, i kanë vizituar çerdhet dhe kanë marrë strisho nga sipërfaqet e hapësirave dhe monstra të ushqimit, jemi duke bërë analizta e nevojshme. Mendojmë se deri nesër pasdite, eventualisht pasnesër dalin rezultatet dhe do ta dijmë saktë se prej nga vjen ky helmim i fëmijëve”, tha Arif Latifi.

Çerdhja “Angell Shajçe” numëron tetë objekte dhe aktualisht me protokollet e reja ka 796 fëmijë. Doktori Agron Sulejmani poashtu theksoi se në Spitalin e Kumanovës në repartin e Pediatrisë janë paraqitur sot edhe 40 fëmijë të tjerë jashtë çerdhes, me të njëjtat simptoma./TV21

Back to top button