35 meçe gjatë karrierës, Luan Krasniqi për RTV21 tregon se cili ishte më sfidues

35 meçe, 30 fitore, 14 me nokaut, 4 humbje dhe 1 barazim është bilanci i arritur i boksierit të njohur kosovar, Luan Krasniqit, i cili për këtë padyshim se ndihet krenar.
Në një intervistë për portalin rtv21.tv Luani ka deklaruar se gjithë këto nuk kanë qenë të lehta për t’u arritur.
“Këtij bilanci të arritur me shumë mund i jam krenar. Nuk ka qenë lehtë të arrihet. Se kam mundur të bëj më shumë është e çartë por koha nuk kthehet dhe për të kaluarën e angazhimit tim në boks, kudo dhe përherë më shoqëron mburrja. Uroj që gjeneratat e reja të bëjnë edhe më shumë dhe suksesit të tyre do ti gëzohem përherë”, ka thënë Luani.

Luani ka treguar se cili meç është më i veçantë për të gjatë karrierës. Sipas tij, meçi kundër Rene Monse, që e ka bërë Luanin Kampion të Evropës është fitore që vlerësohet e çmohet edhe sot, pasi që me këtë fitore kosovari ia ka kthyer Gjermanisë pas 29 vjetësh titullin e Kampionit Evropian.
“Të gjitha meçet i konsideroj se ishin të rëndësishme, por si kulmor për mua ishte suksesi ndaj Rene Monse, kur u bëra kampion Evropë dhe këtë titull ia ktheva  Gjermanisë pas 29 vjetësh. Ky meç dhe kjo fitore ime e atëhershme vlerësohet e çmohet edhe sot. Nuk ishte vetëm sukses për mua por edhe për mbarë sportin e boksit në Gjermani sepse titulli i kampionit evropian i përkiste edhe Gjermanisë, këtij vendi që i jamë mirënjohës sepse më ka mundësuar të jam ky që jam jo vetëm në sport”, ka thënë Luani për rtv21.tv

Takimin me legjendën Muhamed Ali në Atlanta, Luani ka theksuar se nuk e harron asnjëherë për disa arsye.
“Takimi me legjendën Muhamed Ali në Atlanta, ishte një përjetim i veçantë. Kjo ishte e paimagjinueshme për mua më parë. I kryqëzuam madje edhe grushtet, kurse humori që kultivonte ai na bëri të entuziazmuar. Këtë takim e kam kurdoherë të freskët në kujtime dhe nuk e harroj dot”, ka treguar ai.
Por, cilin meç e konsideron më sfidues Luan Krasniqi?
“Kalimi im në ringun profesionist në vitin 1997 dhe meçi me Harry Senior, ishte mëse sfidues. Për të qenë sa më i përgatitur, stërvitesha me legjendën Lennoks Lewis. Lennox Lewis ishte në atë kohë kampion botë dhe me shumë eksperiencë, por mbi të  gjitha unë u adaptova shumë shpejtë dhe isha njëri ndër sparingspartnerët më të preferuar në atë kohë dhe se kjo, atbotë ishte një përvojë imja shumë e mirë për zhvillimin e karrierës time”, ka thënë Luani.

Tutje, ai ka folur edhe për sukseset e arritura gjatë kohës sa merrej me boks, ku ka përmendur, pjesëmarrjen në Atlanta, në Lojrat Olimpike në vitin 1996. Atë kohë Luani për herë të parë Gjermanisë ia ka dhuruar medaljen e bronztë në boks.
“Pjesëmarrja ime në  turneun multi-nacional në Liverpul dhe pastaj në  Berlin dhe medaljet e arta që fitova, më krijuan epërsi në boksin gjerman. Pastaj, më 1995 përsëri me medalje në botërorin e boksit amator. Medaljen e argjendët e fitova kur e  munda Sinan Samil Sam, por edhe Vladimit Kliçkon dhe në finale humba nga kubanezi Feliks Savon.Pjesëmarrja ime në Atlanta, në Lojrat Olimpike në vitin 1996,  ishte tejet e rëndësishme sepse, Gjermanisë që e përfaqësoja në sportin e boksit, për herë të parë ia solla medaljen e bronzt”, ka thënë Luani.

Kujtojmë që, Luan Krasniqi gjendet në pozitën e 308-të të boksierëve më të mirë të të gjitha kohërave me 279 pikë nga 35 ndeshje./21Media 

Back to top button