35 për qind e premtimeve të kryetarëve të komunave as nuk kanë filluar të përmbushen

Instituti GAP sot e ka publikuar shkallën e përmbushjes së premtimeve zgjedhore të dhëna nga kryetarët e komunave për mandatin 2021-2025.
Sipas këtij hulumtimi 35 për qind e premtimeve që dhanë kryetarët e komunave në zgjedhjet komunale, as nuk kanë filluar të përmbushen
“Nga gjithsej 1,816 premtime të 27 kryetarëve të komunave, 473 premtime (26%) janë përmbushur, 285 premtime (16%) janë gjysmë të përmbushura, 422 premtime (23%) janë të filluara, dhe 636 (35%) e premtimeve mbeten të pa filluara”, thuhet në hulumtimin që përfshin periudhën deri në fund të muajit qershor të këtij viti.
Sipas hulumtimit numri më i madh i premtimeve të përmbushura janë nga fusha e arsimit, kulturës, ekonomisë dhe shërbimeve publike.
“Tek fusha e arsimit prijnë përmbushja e premtimeve në ofrimin e bursave, në krijimin e kabineteve dhe laboratorëve, në mirëmbajtjen e hapësirave shkollore, transparencës në përzgjedhjen e stafit, si dhe mbulimin e transportit për nxënësit. Tek fusha e ekonomisë, disa nga premtimet e përmbushura ndërlidhen me mbështetjen e bizneseve të reja, krijimin e zyrave për biznes, dhe mbështetjen e bizneseve në promovimin e produkteve të tyre. Kurse tek fusha e shërbimeve publike, parkingjet për automjete, shenjëzimi dhe sinjalizimi në komunikacion, ndriçimi publik, si dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra, janë ndër premtimet që janë përmbushur nga më shumë kryetarë të komunave. Në fushën e kulturës, janë përmbushur premtimet si organizimi i festivaleve dhe manifestimeve të ndryshme, ndarja e mjeteve buxhetore për mbështetjen e aktiviteteve teatrale, atyre të galerive dhe organizimeve të tjera kulturore”, thuhet në komunikatën e GAP-it.
Ndërsa numri më i vogël i premtimeve të përmbushura thuhet se është nga fusha e urbanizimit, sportit dhe infrastrukturës./21Media

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?