Burhan Fazliu është 36 vjeçar, pjesëtar i një familjeje 7 anëtarëshe nga Kumanova. Të gjithë posedojnë shtetësi, por jo edhe Fazliu. Në vitin 2001, Fazliu thotë se ka bërë kërkesë për shtetësi, por përgjigje nga organet nuk mori asnjëherë, as negative e as pozitive. Ndërkohë që prindërit e tij kanë marrë shtetësi që nga vitit 1996, ndërsa vëllezërit dhe motrat e tij që nga viti 2000.

“Kam bërë kërkesë për shtetësi në vitin 2001, përgjigje asnjëherë nuk kam marrë. Vetëm një herë kam aplikuar dhe përgjigje kam pritur gjithmonë, por kurrë nuk më erdhi përgjigje. E gjithë familja kanë marrë shtetësi, vetëm unë jo”, tha Burhan Fazliu.

Fazliu ka kërkuar përgjigje nga policia në Kumanovë, për ecurinë me dokumentat e tij, por nga atje i kanë thënë se nuk janë gati.

“Nga policia në Kumanovë më kanë thënë se dokumentet nuk ekzistojnë askund. Kam kërkuar te MPB në Shkup, nuk ekzistojnë askund ato dokumentet, kërkesat që i kam lëshuar unë për shtetësi. Tani më thonë të bëj qëndrim sepse përndryshe nuk pranohet të bëhet për se dyti herë kërkesa për shtetësi”, shtoi Burhan Fazliu.

Në tentimin e dytë për të marrë shtetësi, atij nuk i është mundësuar pasi që i është kërkuar të bëjë qëndrim 6 vjeçar në Maqedoni.

“Unë në fakt jam i lajmëruar tani 36 vite këtu në Maqedoni. Nuk ka nevojë që unë të bëj qëndrim, sepse unë jam i lindur këtu 36 vite dhe jetoj këtu. Përsëri të bëj qëndrim, nuk është e pranueshme kjo që sepse jam vendas, jam i lindur këtu”, theksoi Burhan Fazliu.

Fazliu pohon se si vërtetim se ka jetuar për 36 vite këtu ka edhe certifikatë të lindjes, dëftesat e shkollës, numër amë dhe gjitha dokumentet tjera, përveç shtetësisë. E shtetësia përveç problemeve tjera, po i bën problem edhe në jetën personale, sepse Fazliu nuk mund të lidhë kurorëzim me një vajzë nga Franca. Propozim-Ligji për shtetësi është dorëzuar në Kuvend në mes të muajit dhjetor. Që atëherë opozita kërkon thirrjen e trupit punues amë, Komisionit për Sistem Politik por një pikë e tillë nuk është caktuar në mbledhjet e deritanishme të këtij komisioni./21Media