Gjeneralët turq në gjyq, arrestohen dy mësues grevist

Grushtshteti i dështuar i 2016-ës në Turqi

Më shumë se 200 të dyshuar, shumica prej të cilëve oficerë të lartë të ushtrisë, përfshirë edhe ish-kreun e forcës ajrore turke, dalin në gjyq, nën akuzat për komplot dhe orkestrim të grushtetit të dështuar të 2016-ës në vend.

Të pandehurit u sollën në gjykatë nga ushtarët turq, nën masa të rrepta sigurie, dhe të rrethuar nga protestues të shumtë që kërkonin dënim me vdekje për ta, shkruan rtv21.tv

 Në ndërkohë, policia turke ka arrestuar dy mësues të cilët ndodheshin në grevë urie, duke protestuar kundër shkarkimit të tyre që u bë në kuadër të një procesi për spastrim shtetëror të ndërmarrë nga autoritetet turke.

Nuriye Gulmen dhe Semih Ozakça janë në mesin e 100 mijë shërbyesve civilë të shkarkuar pas grushtetit të dështuar të 2016-ës. Ata ndodheshin në grevë urie prej 75 ditësh. Avokati i tyre tha se pavarësisht arrestimit, dy mësuesit janë zotuar se nuk do të heqin dorë deri në rikthimin në vendet e tyre të punës.

Procesi i spastrimit të institucioneve shtetërore i urdhëruar nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, nënkupton shkarkime masive në gjyqësor, në polici, në universitete dhe në shkolla.

Më shumë se 240 njerëz u vranë kur ushtarët me aeroplanë luftarakë dhe tanke u përpoqën të rrëmbenin pushtetin, në komplotin e dështuar të 2016-ës në Turqi.

Kleriku mysliman Fethullah Gulen, i cili jeton në mërgim të vetëshpallur në SHBA që nga viti 1999, fajësohet nga Ankaraja për organizimin e grushtshtetit të dështuar kundër Erdogan, akuzë kjo të cilën ai e mohon./21Media

Back to top button