VV shpalos planin qeverisës me 40 pika

Ymeri tha se 40 pikat janë programi i cili do të paraqes ndryshimin që do të ndodhë në vend

Përfaqësuesit më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë shpalosur sot programin qeverisës, ku një nga prioritetet kryesore të këtij subjekti është zhvillimi ekonomik. Ata përmes 40 pikave programore në fokus kanë zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale.

I nominuari për kryeministër nga kjo lëvizje, Albin Kurti ka thënë se qeveria e tij do të luftojë korrupsionin dhe do të zhvillojë vendin në të gjitha aspektet. Sipas tij, mirëqenieje e përgjithshme në Kosovë nënkupton që nuk duhet të ketë familje pa kulm mbi kokë, nuk duhet të ketë familje pa dikën të punësuar dhe nuk duhet të ketë fëmijë të uritur nëpër shkolla.

Ai po ashtu është ndalur edhe tek fusha e drejtësisë, për të cilën tha se gjatë vitit 2016-të, Këshilli Prokurorial i Kosovës nga 715 të dyshuar për korrupsion u ka ngritur aktakuzë vetëm 241 prej tyre. Në gjysmën e parë të vitit 2016-të, pasuria e konfiskuar pas proceseve gjyqësore, sipas tij, nuk ishte as qerek milioni euro. Me ndryshimet që parasheh Vetëvendosje garanton që në asnjë mënyrë nuk do t’i rrezikojë interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Sipas tij, plani zhvillimor do të mbështetet nga krijimi i fondit sovran, Agjencisë Zhvillimore të Kosovës, dhe Bankës Zhvillimore të Kosovës. Fondi sovran tha se do t’i marrë në pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK, korporatës së thëngjillit, PTK-së. Brenda këtij fondi, sipas tij, do të themelohet komponenta kredituese, e cili do të financohet nga paratë publike.

Lideri i kësaj partie, Visar Ymeri tha se 40 pikat janë programi i cili do të paraqes ndryshimin që do të ndodhë në vend. Në këto 40 pika, sipas tij, ngërthehen të gjitha nevojat që i ka sot vendi.

I pari i Komunës së Prishtinës, që është kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka thënë se Vetëvendosje për çdo çështje madhore ka pasur çdoherë zgjidhje. Madje për çështjen e demarkacionit tha se i kanë 6 plane.

Ndërsa, kandidatja për deputete nga kjo lëvizje, Albulena Haxhiu, ka shpalosur 11 prioritetet që ky subjekt ka për shtetin e së drejtës. Ajo ka thënë se në legjislaturën  ardhshme do të formojnë hetim parlamentar për SHIK-un, e po ashtu do të punojnë në zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pasluftës dhe rastet e fundit të vdekjes së Astrit Deharit dhe vrasjeve të tjera që kanë ndodhur në vend.

Po ashtu, vetingu vlerësimi i përgjithshmen nëpërmjet një ligji të posaçëm nëpërmes vetingut. Ajo tha se konsiderohet që kjo është e domosdoshme ligji për vetingut dhe se me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes do të procedojnë ligjin e vetingut.

Back to top button