40 ditë burg për Fjolla Morinën

2 min read

Gjykata e Prishtinës, ka caktuar masën e paraburgimit prej 40 ditësh ndaj këngëtares Fjolla Morina, për shkak të dyshimit të bazuar se e njëjta ka kryer veprat penale, trafikim me armë dhe arratisja nga vendi i paraburgimit.

Avokatja e Morinës, Fehmie Gashi-Bytyqi ka thënë se Fjollës i është caktuar masa e paraburgimit për ekstradim, porse do ta apelojnë këtë vendim në Gjykatën e Apelit.

“Ne besojmë se s’ka bazë ligjore për këtë, pos fotos së nxjerrë nga Interpoli, nuk ka ndonjë veprim apo vendim që mund të arsyetojë këtë. Si mbrojtje kemi ofruar prova, raporte mjekësore se Fjolla kur ka qenë në arrest shtëpiak, e ka pasur vajzën në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka reaguar si nënë duke ikur nga Shqipëria”, ka thënë avokatja Gashi-Bytyqi.

Morina ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në mesditën e 19 korrikut 2021.

Ajo është arrestuar në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Shqipërisë.

“Në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Shqipërisë, sot me 19.07.2017 në Prishtinë nga njësia policore FAST-Kosova në bashkëpunim me zyrtaret policorë të stacionit policor “Jugu” në Prishtinë, është arrestuar e dyshuara femër, e cila ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet Shqiptare”, thuhej në njoftimin e asaj dite.

Në prill të këtij viti, Prokuroria e Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës ka bërë kërkesë për shpalljen në kërkim ndërkombëtar për këngëtaren nga Kosova, Fjolla Morina, e dënuar me 25 mars nga Gjykata e Shkallës së Parë në Kukës, me 6 vjet burgim për “trafik të armëve dhe municionit”./kallxo