40% e kandidatëve nuk morën përkrahje financiare nga subjektet e tyre politike

4 min read

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar sot raportin “Transparenca financiare e kandidatëve për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale 2021”. E gjetur e këtij raporti është që kandidatët për kryetarë të komunave kanë financuar fushatën e tyre zgjedhore kryesisht me mjete vetanake.

Në pyetësorin e KDI-së nga 166 kandidatët që kanë synuar udhëheqjen e komunave vetëm 51 prej tyre kanë ofruar përgjigje.

Eugen Cakolli nga KDI, ka prezantuar raportin, i cili tha se edhe pse korniza ligjore nuk i obligon kandidatët e subjekteve politike që të deklarojnë raportet e tyre financiare të gjithë kandidatët janë deklaruar që janë pro që një gjë e tillë të bëhet obligative.

“Edhe pse subjektet politike vazhdimisht proklamojnë se i përkrahin në mënyrë të barabartë financiarisht kandidatët e tyre, në bazë të përgjigjeve te ofruara nga kandidatët vërehet se pothuajse të gjithë kandidatët qoftë në mënyrë të pjesshme apo në mënyrë të plotë i financojnë fushatat e tyre me mjete vetanake. Mbi 90 për qind e kandidatëve kanë deklaruar se mjetet vetanake apo buxheti i tyre personal paraqesin burimin më të rëndësishëm të financimit të kampanjave të tyre. Madje, 40 për qind e kandidatëve kanë deklaruar se nuk kanë marrë asnjë përkrahje financiare nga ana e subjekteve të tyre dhe buxheti vetanak ka qenë forma e vetme e financimit gjatë fushatës së tyre zgjedhore”, tha ai.

Cakolli tha se forma të mbështetjes së kandidatëve nga subjektet e tyre politike ka qenë mbulimi i shpenzimeve të derivateve dhe të transportit, ofrimi i burimeve njerëzore për kampanjë apo edhe shërbime të tjera të marketingut.

Sa i përket publikimit të planifikimit të shpenzimeve për fushatën zgjedhore, Cakolli tha se vetëm 27 për qind e kandidatëve kanë deklaruar se subjektet e tyre i kanë bërë publike mënyrën dhe planifikimet e shpenzimeve. Megjithatë, ai tha se nuk kanë ofruar ndonjë link se ku mund të gjenden këto të dhëna.

“Edhe pse të gjithë kandidatët e njohin rëndësinë e të qenit transparent me financat e tyre, 27 për qind e kandidatëve kanë deklaruar se subjektet e tyre i kanë bërë publike mënyrën dhe planifikimet e shpenzimeve, ndërsa mbi 70 për qind e kandidatëve deklarojnë që subjekti i tyre nuk e kanë të qasshme qoftë në platformat sociale apo në ndonjë burim tjetër mënyrën se si ata do të shpenzojnë mjetet gjatë fushatës. Në kuadër të këtij 27 përqindëshit të kandidatëve kur të njëjtëve u është kërkuar linku se ku është e qasshme një informatë të tillë asnjë prej tyre nuk ka ofruar ndonjë link specifik se ku mund të gjenden të dhënat qoftë për shpenzime të planifikuara apo edhe shpenzime të tjera. Këto të gjetura tregojnë që Kosova edhe pse ka avancuar ndjeshëm me përdorimin e rrjeteve sociale çalon ndjeshëm sa i përket transparencës që kanë kandidatët dhe subjektet e tyre në raport me bërjen publike qoftë të planifikimeve të shpenzimeve, të kontribuuesve të tyre apo edhe personave të tjerë të cilët eventualisht menaxhojnë me rrjetet e tyre sociale”, tha Cakolli.

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, tha se votuesit në Kosovë vazhdimisht kërkojnë një transparencë nga ana e partive politike për financimin e

“Korrupsioni vazhdon të mbetet një pikë kritike e zhvillimit politik e institucional në Kosovë, si arsye e cila rezulton me mungesën e besimit të publikut në institucione dhe në parti politike. Transparenca e financave të partive politike ka një kohë të gjatë, e cila trajtohet në mekanizma, në institucione të ndryshme dhe nuk është vetëm një vlerë ose një shtysë nga shoqëria civile sot, por është një kërkesë imediate e votuesve edhe qytetarëve të Kosovës. Transparenca financiare për prejardhjen e buxhetit financiar kryesisht në fushata zgjedhore janë ndër kërkesat kryesore që sot votuesit e Kosovës vlerësojnë për kandidatin apo për subjektin politik për të zgjedhur. Menaxhimi i financave, prejardhja e financave, transparenca e financave nga ana e partive politike promovon një sistem politik transparent, zvogëlon hapësirën për praktika korruptive të cilat e cenojnë integritetin zgjedhor dhe e bëjnë garën zgjedhore jo të barabartë”, tha ai.

Ndërkaq, ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, tha se synimi kryesor i mbështetjes për publikimin e këtij raporti është që të bëhet financimi i partive politike dhe fushatave zgjedhore transparente.

“Synimi kryesor është që të bëjmë financimin e partive politike dhe fushatave politike më transparente…Republika Çeke ka përvojë të vlefshme qoftë nga periudha e transformimit të saj, po ashtu edhe nga periudha e përgatitjes së saj për anëtarësimin në BE. Ne jemi të gatshëm të ndajmë përvojat tona pozitive nga zbatimi i legjislacionit evropian në fushën e integritetit të shteteve dhe funksionimit të demokracisë në tërësi. Shpresoj shumë që kjo përvojë do të jetë e vlefshme për shoqërinë civile në Kosovë, por po ashtu edhe për institucionet e Kosovës. Unë shpresoj që së shpejti do të rezultojë në përmirësimin e legjislacionit për financimin e partive politike”, tha ai.

Publikimi i raportit “Transparenca financiare e kandidatëve për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale 2021” është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë.