Numërimi i votave në “duart” e manipuluesve?

Votat e partive politike dhe të kandidatëve për deputetë duket se edhe kësaj radhe do të kalojnë nëpër duart e ndonjërit prej të dyshuarve për manipulim votash në zgjedhjet e dhjetorit.
Fajin për mundësinë e përfshirjes eventuale të tyre në proces, KQZ-ja e adreson tek partitë politike.
Kryesues i Këshillit për Operacione Zgjedhore në KQZ, Alban Krasniqi tha se janë përpjekur që komisionarët e dyshuar të mos përfshihen, por sipas tij, përbërja e listave është përgjegjësi e secilës parti politike.
“Rekomandojmë emërimin e 2 mijë e 212 anëtarëve të cilët do të jenë pjesë e 508 qendrave të numërimit në 38 komunat e Kosovës. Dua të theksoj këtu gjithashtu faktin që KQZ-ja, kur ka dërguar njoftimet për nominimet e anëtarëve të këshillave apo të ekipeve të numërimit në QKN, ka kërkuar nga subjektet politike që ato të mos dërgojnë emra të cilët kanë qenë të përfshirë në të themi parregullsitë që janë evidentuar gjatë zgjedhjeve të fundit. Dhe për këtë mbajnë përgjegjësi në këtë rast subjektet politike, nëse në ndonjë prej rasteve ato kanë dërguar persona apo individë që kanë mundësi të jenë të përfshirë. Natyrisht, ne si anëtarë të KQZ-së, po edhe sekretariati gjithashtu, pra aq sa ka mundur ka qenë i përfshirë në mospërfshirjen e tyre, por se në fund përgjegjësia natyrisht do t’iu mbetet subjekteve politike mbi përbërjen e listës së këtyre trupave që do të merren me procesin e numërimit të votave apo fletëvotimeve për kandidatë”, tha Alban Krasniqi, kryesues i Këshillit për Operacione Zgjedhore
Lidhur me këtë çështje RTV21 u angazhua që të marrë një përgjigje nga partitë politike, por ato nuk ishin të qasshme.
Ndaj vendimit të KQZ-së reagoi rrjeti i organizatave të shoqërisë civile Demokracia në Veprim.
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se përfshirja e komisionarëve të dyshuar për manipulim votash, dëmton integritetin zgjedhor.
“Vendimi i fundit i KQZ-së është shqetësues që është lënë në diskrecion të partive që ato të mos i dërgojnë ata duke e përjashtuar KQZ vetën nga një vendim i tillë gjë që shohim se nuk është në frymën e parimeve të integritetit zgjedhor. Më herët KQZ-së e ka miratuar një rregullore që la ndaluar vëzhguesit që janë në hetime për keqpërdorime zgjedhore të marrin pjesë në zgjedhje por duke u bazuar në të njëjtin parim që mos të ketë standard te dyfish nuk është që të njëjtin standard ta ushtrojë edhe për komisionarët. Kjo pa dyshim e dëmton integritetin zgjedhor”, tha Violeta Haxholli nga Intituti Demokratik i Kosovës
Se pjesëmarrja në zgjedhje e komisionarëve të dyshuar për manipulim votash cenon integritetin zgjedhor e thotë edhe avokati Alban Arifi. Sipas tij, përjashtimi i këtyre personave nga zgjedhjet e qershorit është përgjegjësi e KQZ-së dhe jo e partive politike.
“Duke marrë parasysh ë procesi i numërimit te votave dhe anagzhimi i numëruesve është çështje mjafte ndjeshme KQZ është dashur me herët ta merr listën nga organet e drejtësisë për persona te dyshuar apo ne shërimi dhe pas pranimit ë listave te partive të filtroj ato nga ata te dyshuarit. Prandaj se partitë nuk do mbajnë ndonjë përgjegjësi por përgjegjësia bie direkt mbi KQZ.. E cenojnë, ulë besueshmërinë e këtyre zgjedhjeve etj., u shpreh Alban Arifi.
Në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, procesi përfundoi në rinumërim total pas dyshimeve për devijim të vullnetit qytetar në mijëra raste teksa mbi 100 komisionerë në gjithë vendin përfunduan nën hetim dhe arrestim./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?