40% e qytetarëve duan të ikin nga vendi

Si arsye për shpërngulje janë theksuar standardi jetësor dhe punësimi

Afër 40 përqind e qytetarëve të Maqedonisë do të iknin përgjithmonë jashtë vendit thuhet në anketën e fundit të realizuar nga Qendra Maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar. Si arsye për shpërngulje nga Maqedonia janë theksuar standardi jetësor dhe punësimi. Komunikologu, Bujar Hoxha thotë se problemi i shpërnguljes së popullatës lidhet me shumë faktorë që kanë shkaktuar te popullata depresion dhe pakënaqësi.

“Unë them se kjo është tragjedi por nuk kam përgjigje për këtë rini faktikisht sidomos me theks të posaçëm tek shqiptarët por kjo problematikë nuk njeh dallime etnike, racore apo fetare për fat të keq vlen për të gjithë ku kemi një rregullim të dobët të funksioneve të aparatit shtetëror. Prapë them, popullatës i duhet shtet social, që të jetë në gjendje t’i kryej të gjitha shërbimet të cilat i meriton populli”, tha Bujar Hoxha, Komunikolog.

Komunikologu, Petar Arsovski vlerëson se kjo po ndodh për shkak të mos pasjes së perspektivës në vend. Sipas tij për të mos u larguar qytetarët nga vendi duhet të përmirësohet kapaciteti në ekonomi, arsim dhe shtimi i vendeve të reja të punës.

“Kriza politike, Situata e keqe ekonomike, pa perpsektivë dhe pa shpresë e sjellin atë që ata të kërkojnë gjegjësisht me këmbët e tyre të shkojnë jashtë shtetit. Problemi është se jashtë shtetit mbesin ata të cilët janë më të aftë dhe me këtë ne kemi dyfish më tepër problem dhe ajo është se fuqia e aftë punëtore e cila mund të sjellë për zhvillimin e shoqërisë këtu shkon dhe largohet”, u shpreh Petar Arsovski, Komunikolog.

Në parametrin etnik të anketës, 31 përqind e shqiptarëve do të shpërnguleshin, ndërsa përqindja tek maqedonasit është më e lartë, ajo arrin në 40 përqind. Madje 61 për qind e të rinjve mes moshës 15 dhe 24 duan të shpërngulen përgjithmonë, ndërsa 92 për qind e atyre mbi 65 vjeç duan të qëndrojnë në Maqedoni. Por në mënyrë të veçantë në shpërngulje mendojnë edhe një përqindje e madhe e atyre të moshës 35-54 vjet, dhe këtë grup moshe që mbulojnë pothuajse të gjithë fuqinë punëtore në vend, shkruan tv21.tv.

Është indikative se gati 15 për qind thanë se do të zhvendoset për shkak të situatës politike.

Kjo anketë u realizua nga TV Telma dhe nga Qendra Maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar, në të cilën janë anketuar gjithsej 1000 persona./21Media

Back to top button