Hoti premton rritje të pagës minimale dhe pensioneve

Hoti ka thënë se po ashtu do të  mbrojnë të drejtat e punëtorëve

I nominuari për kryeministër i koalicionit LDK-AKR- Alternativa Avdullah Hoti së bashku me ministrin në largim të Punës Arban Abrashi, kanë vizituar BSPK-në në ku janë takuar me kryetarin Haxhi Arifi.

Kandidati për kryeministër Avdullah Hoti tha se sot janë në BSPK që të garantojnë bashkëpunimin e mirë që kanë pasur në mënyrë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje.

Hoti tha se BSPK në të ardhmen do të zhvendosen në një objekt tjetër.

Sipas tij do të punojnë bashkë që ta zbatojnë ligjin e Punës.

“Në ditët e para së bashku do të marrim vendim për ngritjen e pagës minimale dhe pensioneve. Këto janë zotimet e qeverisë së ardhshme. Ne do të promovojmë zhvillimin ekonomik që mbron të drejtat e punëtorëve. Kemi shumë punë për të bërë në sektorin privat për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve. Si pikë e veçantë e marrëveshjes së zotimeve është që në të investojmë më shumë. Në sektorin privat dhe në bujqësi. Kemi premtuar se do të trefishojmë buxhetin për bujqësi. Do ta ndërrojmë skemën e subvencioneve për bujqësi”, tha Hoti.

Kryetari i BSPK-së haxhi Arifi tha se e kanë parë të arsyeshme këtë takim me qëllim që t’i paraqesin disa kërkesa për të ardhmen e punëtorëve të Kosovës.

“Janë 9 pika dhe Hoti është i informuar për këto pika. Shpresojmë që në të ardhmen çështja e punëtorëve të ndryshojë sepse janë në gjendje jo të mirë dhe më një papunësi të kemi të ecim përpara. Nëse ka investime ne bujqësi na duhet pastaj armatë e tërë për të punësuar”, tha Arifi.

Hoti gjatë ditës ka pasur disa takime në Mitrovicë dhe Vushtrri ndërsa pasdite do të ketë një takim me të rinjtë në kryeqytet.

Back to top button