Veseli u bën thirrje mjekëve të mos ikin nga Kosova

Veseli u ka premtuar mjekëve se do t’ua përmisojë kushtet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është pritur në ambientet e QKUK-së nga punëtorët shëndetësorë, para të cilëve ai prezantoi platformën qeverisëse “Fillimi i ri” në fushën e shëndetësisë.

Në këtë takim, Veseli tha se shëndetësia kosovare, nuk mund të vazhdojë edhe më tutje të trajtohet në këtë mënyrë.

Ai u premtoi mjekëve se do t’ua përmirësojë kushtet, ndërsa u bëri thirrje të mos e lëshojnë Kosovën.

“Në qoftë se një doktor i jonë, pas gjithë asaj sakrifice të cilën e kemi bërë, të përgatitet të mësojë një gjuhë të huaj e ta lë Kosovën, kjo nuk duhet të ndodhë dhe duhet të mbarojë përfundimisht. I ftoj të gjithë personelin shëndetësor, mos e lëshoni Kosovën. Po ua jap fjalën se do tua përmirësojmë kushtet, qoftë në paga, qoftë në punë, qoftë investime në infrastrukturën shëndetësore, që ju mos ta leni Kosovën, mos i leni pacientët që sot kanë nevojë për ju”, tha Veseli.

Veseli i siguroi punëtorët shëndetësorë se pas 11 qershorit do të nisë reformë rrënjësore në sistemin e shëndetësisë, e cila sipas tij, do të sigurojë që të gjithë specialistët dhe specializantët të inkuadrohen në sistemin shëndetësor, në mënyrë që qytetarët të kenë kujdes dhe shërbim të shpejtë shëndetësor.

Veseli tha para mjekëve dhe personelit tjetër shëndetësor, tha se Qeveria e re do të rrisë menjëherë pagat e tyre, ndërsa premtoi se brenda mandatit katërvjeçar, do të ndërtohet spitali regjional i Prishtinës.

“Spitali regjional i Prishtinës është premtuar me dhjetëra herë e ende nuk është ndërtuar, i cili do ta ndihmonte këtë qendër profesionale – Klinikën Universitare. Ai duhet të ndërtohet dhe po ua jap fjalën, brenda këtyre katër viteve do ta keni Spitalin Regjional të Prishtinës. Do të ketë që nga ditët, nuk po them me muaj, se ligji për sigurimet shëndetësore do të hyjë në fuqi menjëherë – maksimum deri në shtator. Për arsye se është një garancion i shërbimeve më kualitative shëndetësore, në kuptimin sasior dhe cilësor”, tha Veseli.

Në këtë takim, kreu i PDK-së tha se mjekët kosovarë kanë dhënë kontribut të pazëvendësueshëm në të gjitha periudhat e çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës, duke u kujdesur për shëndetin e popullsisë edhe në kohërat më të vështira, pa u paguar fare.

Ai tha se platforma qeverisëse ‘Fillimi i ri’ nuk do të lejojë që të rinjtë, të cilët arsimohen në fushën e shëndetësisë, të kërkojnë të ikin jashtë Kosovës, duke siguruar se të gjithë ata, do të punësohen në sektorin e shëndetësisë në Kosovë.

Back to top button