“Është e pamundur që Serbia të mos ketë informata për të pagjeturit”

Dushi ka thënë se Serbia nuk po bashkëpunon për zbardhjen e fatit të persoave të pagjetur në Kosovë

Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, takoi përfaqësuesit e Organizatës “Thirrjet e Nënave”.

Ai para të pranishmëve tha se Ministria e Drejtësisë ka rifilluar futjen e të dhënave në databazën për personat e zhdukur, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, si dhe është punuar shumë në hartimin e Strategjisë për fushën e Mjekësisë Ligjore, ku çështja e të pagjeturve zë vendin kryesor.

Dushi tha se Ministria e Drejtësisë e ka mbështetur Mjekësinë Ligjore duke i shpeshtuar takimet koordinuese edhe me Zyrën e Kryeministrit.

Ai tha se është ndërmarrë edhe iniciativa për konservimin e rrobave dhe se duhet punuar edhe për çështjen e pensioneve për familjarët e personave të zhdukur.

Zëvendësministri Dushi tha se Serbia nuk është aspak bashkëpunuese sa i përket zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

Më tutje, Dushi theksoi se ” është e pamundur që Serbia të mos ketë informata lidhur me personat e pagjetur, sidomos kur dihet fakti se edhe sot në qeverinë e Serbisë janë eksponentët kryesorë të atij regjimi kriminal, i cili edhe kishte kryer këto krime dhe ishte angazhuar për fshehjen e gjurmëve të krimit”.

Ndërsa, kryetarja e organizatës “Thirrjet e Nënave”, Nesrete Kumnova, e falënderoi Zëvendësministrin Dushi për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme për këto procese dhe për këto familje.

Back to top button