IKD, INPO: Fotokopjim fletëvotimesh dhe votim të personave të vdekur
Ndrecaj ka numëruar disa parregullsi gjatë zgjedhjeve
Në konferencën e mbajtur të dielën, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, u tha se IKD, GLPS dhe INPO kanë angazhuar 65 vëzhgues mobil për të raportuar për performancën e institucioneve të drejtësisë për të gjitha rastet ku mund të rrezikohet kryerja e veprave penale në të 38-të komunat e Republikës së Kosovë.
Albulena Nrecaj, drejtoreshë ekzekutive në IKD-së, numëroi një mori parregullësish që janë parë gjatë procesit zgjedhor. Ajo tha se sipas raportimeve të monitoruesve të angazhuar qysh në orën 7:00 të mëngjesit së të dielës e deri më tani, Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka intervenuar në disa raste në lidhje me shkeljen e rregullave të cilat ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Madje, ajo u shpreh se në fshatin Mihaliq janë parë persona që kanë fotokopjuar fletëvotimet dhe kanë rrethuar disa kandidatë në to.
“Në vendvotimin në fshatin Jazhnicë të komunës së Shtërpcës, një person me iniciale S.S. me urdhër të prokurorit të shtetit është duke u intervistuar në stacionin e Policisë të Kosovës pasi është raportuar që ka bërë fotografimin e votës. Në qendrën e votimit të fshatit Nihaliq të Komunës së Vushtrrisë janë shpërndarë fletëvotime të fotokopjuara dhe të plotësuara me kandidatë të caktuar të një subjekti politik. Lidhur me këtë rast, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilit ishin përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve për shkollën e lartcekur, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të gjitha këto. Pas 30-të minutash prokurori i shtetit ka urdhëruar Policinë e Kosovës të dal në vend të ngjarjes për t’i larguar fletëvotimet e fotokopjuara . Në fshatin Koshare të Ferizajt , në shkollën ‘ Dëshmorët e Koshares’, Policia ka shoqëruar në intervistë një person i cili ka shpërndarë materiale propagandistike të një partie politike”, tha Nrecaj.
Më tej, Nrecaj shtoi se janë evidentuar raste kur persona në detyrë kanë qëlluar të jenë të afërm familjar me kandidat për deputetë në Kuvendin e Kosovës, por që sipas saj, në bazë të informatave që kanë marrë nuk janë vërejtur keqpërdorime të detyrës zyrtare dhe imponime tek votuesit.
Votuesit me veshje që përmbanin mbishkrime të subjekteve politike, Nrecaj tha se nuk janë lejuar të votonin në zgjedhjet e 11 qershorit.
“Në shkollën fillore ‘Asdreni’ në Pejë, një person ka hyrë për të votuar duke pasur me vete katër fletëvotime. Personi në fjalë është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe më pas është ndaluar me urdhër të Prokurorit. Ndërsa një rast tjetër ka ndodhur në shkollën fillore ‘Anton Zako Çajupi’, ku Policia e Kosovës ka lejuar që të hyjë një person për të votuar, I cili kishte të veshur një bluzë me mbishkrime të një subjekti të caktuar politik. Po i njëjti nuk është lejuar të votojë nga drejtoresha e shkollës në fjalë”, u shpreh ajo.
Hyrije Mehmeti nga IKD, tha se në përgjithësi procesi zgjedhor ka shkuar mirë përveç disa rasteve kur kanë pasur probleme me logot dhe vulat e KQZ-së.
Ajo tha se në disa komuna janë parë emra të personave të vdekur që figurojnë në listat e votimit, e në anën tjetër kanë vërejtur se kishte mungesë të emrave në listat e votimit.
Sipas saj, ka raste të caktuara kur ka prani të personave të paautorizuar në qendrat e votimit si dhe, siç tha ajo, janë të shprehura edhe rastet e votimit me dokumente të UNMIK-ut dhe me dokumente të Serbisë.
IKD njoftoi se nga monitorimi i vëzhguesve në teren del se shkolla fillore “Dardania” në Prishtinë dhe një shkollë tjetër në Leposaviç tashmë kutitë e votimit me kusht i kanë tërësisht të mbushura dhe nuk mund të procedohet më votimi me kusht në këto dy qendra.