Dënohet me dy vjet burg një politikan zviceran

Kishte mohuar gjenocidin në Srebrenicë

Politikani zviceran, Donatello Pogji, nga kantoni Ticino është dënuar me dy vjet burg me kusht, për shkak se ka mohuar publikisht gjenocidin në Srebrenicë, kanë njoftuar mediat lokale.

Ai më 31 maj të vitit të kaluar u dënua për shkak të mohimit të gjenocidit nga një Gjykatë e shkallës së parë, por ai më pas u ankua. Megjithatë, tani Gjykata konfirmoi masën e shprehur kundër tij, shkruan rtv21.tv

Pogji u dënua me dy vjet burg me kusht, më pas me një gjobë 45 ditore në vlerë prej 110 franga dhe u detyrua të paguaj edhe shpenzimet e procesit. Ai u dënua pasi që në vitin 2012, në tekstet që shkroi për mediat lokale, theksoi se gjenocidi në Srebrenicë është një gënjeshtër propagandistike dhe se serbët, e jo boshnjakët, janë viktima më e madhe në Evropë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Pas publikimit të këtyre teksteve, padinë kundër Pogjit e ngriti avokati boshnjak, Emir Kobiliq. Është ky vendimi i parë i shprehur nga ndonjë Gjykatë në Zvicër për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë./21Media

Back to top button