65 milionë euro efekti i taksës 100%

Efekt në të hyra ka pasur edhe politikat fiskale, gjithashtu edhe ndikimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit

Efekti i vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës 100% ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është mbi 65 milionë euro.

Kështu tha drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha në një intervistë për Kp, me ç’rast bëri të ditur se importi nga këto dy vende ka shënuar rënie të mëdha.

Pavarësisht këtij vendimi, Berisha tha se bazuar në projeksionet e qeverisë për vitin 2018, Dogana ka arritur të përmbushë planin e të hyrave sipas trendeve në fushën e importeve.

“Kemi një ritëm pozitiv, një trend pozitiv, kemi diku rreth 20 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Vitin e kaluar kemi 1 miliard e 121 milionë, ndërsa këtë vit i kemi 1 miliard e 140 milionë. Efekt në të hyra ka pasur edhe politikat fiskale, të cilat kanë hy në fuqi që nga janari i këtij viti, gjithashtu edhe ndikimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, por edhe kufizimi i importit të veturave dhe nëse këto të tirja i bëjmë së bashku, tregon që efekti i krejt këtyre lirimeve është rreth 150 milionë euro brenda vitit”, tha Berisha.

Duke folur për ndikimet e taksës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës, Berisha tha se 8 deri 10 milionë euro është vlera e mallrave më pak të importuara nga BeH.

“Fillimisht masa 10 përqind pastaj 100 përqind më 21 nëntor, bazuar me të dhënat e vitit të kaluar për periudhën e njëjtë kohore, tregon se nga këto dy vende kemi mbi 65 milionë euro efekt në vlerën e mallit, që është importuar më pak. Sigurisht që efekti në të hyra është nga këto masa, për arsye se bizneset kanë pasur të pamundur të zëvendësojnë produktet për një kohë të shkurt dhe efekti më i madh është për shtetin e Kosovës , efekti politike, efekti ekonomik, kur themi ekonomik e themi për prodhuesit kosovar… Efekti financiar që ka ndikuar në të hyrat e planifikuara nga dogana do të zëvendësohet me rritje të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë tonë vendore”, tha Berisha.

Dogana e Kosovës pas vendimit të Qeverisë ka rritur nivelin e kontrollit për mundësinë e kontrabandës së mallrave me akcizë në pjesën veriore të Kosovës, por sipas Berishës prapë mbetet sfidues, sepse në këtë kohë rrjetet e krimit të organizuar tentojnë të përfitojnë prej kësaj mase.

Ndërsa, sa i përket cilësisë së derivateve, Berisha tha se deri tani importi i karburanteve në Kosovë është në nivelin e pranueshëm sipas legjislacionit në fuqi, sepse sipas tij, ka pasur raste të pakta që janë kthyer nga kanë ardhur.

Drejtori i Doganës tha se duhet potencuar se ekziston një rrezik jo në masë të madhe, por disa individ mund të bëjnë përzierjen ose manipulimin e derivateve në brendi të vendit. Ai shtoi se nga janari Dogana e Kosovës do të hap një Zyrë në portin e Durrësit, e cila do të lehtësojë qarkullimin në kufi, në Vërmicë-Morinë.

Back to top button