66 familje do të përkrahen me grante në bujqësi në Skenderaj

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka njoftuar se Komuna e Skenderajt dhe Islamic Relief do të përkrahin 66 familje me grante në bujqësi.

Jashari ka njoftuar se sot ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me organizatën Islamic Relief, përmes së cilit si komunë dhe organizata në fjalë me bashkëfinancim do të përkrahin 66 familje në fushën e bujqësisë.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është përkrahja e familjeve me ferma të vogla në rritjen, zhvillimin dhe prodhimtarinë e tyre bujqësore e blegtorale. Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë gjithsej 66 familje, ku 25 prej tyre do të përfitojnë secila nga një lopë, 36 familje tjera me nga 20 pula për familje (në përbërje 19 pula dhe 1 gjel për familje) dhe 5 familje me nga një serë. Në kuadër të gjithë kësaj familjet e zgjedhura do të përfitojnë edhe kontrolla shëndetësore nga veterineri, trajnime të kësaj fushe e po ashtu edhe ushqim për së paku nëntë muaj. Vazhdojmë duke zhvilluar bujqësinë- bazën e zhvillimit ekonomik”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, Jashari ka njoftuar se NTP “Hydromax”, me pronar Agron Kadriu, ka dhuruar 1000 kg miell për familjet në nevojë në komunën e Skenderajit në këtë kohë pandemie.

“Në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Skenderajt, falënderoj donatorin për përkrahjen dhënë komunës sonë në këtë situatë. Ne si komunë jemi duke u angazhuar që çdo ndihmë që vjen në adresën tonë ta dërgojmë në çdo shtëpi të rasteve sociale me qëllim të shmangies se mundësisë të infektimit me virusin Covid-19. Bashkë do ta kalojmë edhe këtë sfidë”, ka thënë ai.

Back to top button