7 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasjen e Agonis Tetajt

Me 7 vjet e gjashtë muaj burgim është dënuar Shaban Gogaj për vrasjen e Agonis Tetajt.
Gjykata e Pejës në shpalljen e vendimit për vrasjen e Agonis Tetajt, e ka bërë rikualifikimin e veprës penale, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia. Gogaj me 5 vjet burgim është dënuar për vrasje nga pakujdesia dhe 3 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.
Gjykata të njëjtit i ka shqiptuar dënim unik prej 7 vjet e gjashtë muaj burgim.
Shaban Gogajn, Gjykata e Pejës e ka shpallur fajtor për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt.
Kujtojmë, se ky rast reagime të shumta kishte ngjallur kur prokurori Agron Uka e kishte ri cilësuar akuzën në seancën e fundit gjyqësore, nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia.
Pas më shumë se 4 vitesh nga vrasja e Agonis Tetajt, këtij procesi gjyqësor i erdhi fundi.
Agonis Tetaj ishte vrarë në lokalin “Gogaj Ag” në Deçan, ku ai ishte punëtor. Për vrasjen e tij po ngarkohet djali i pronarit të kompanisë, Shaban Gogaj.
Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria e Pejës, përkatësisht prokurorja Sahide Gashi, e cila ishte përjashtuar nga ky rast dhe rasti ishte bartur për përfaqësim në Prokurorinë e Gjilanit.
Rasti mori vëmendjen e opinionit publik kur babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, publikoi pamjet e momenteve tragjike ku djali i tij, Agonis Tetaj mbeti i vdekur në lokalin ku po punonte.
Pamjet ishin publikuar nga babai i të ndjerit pas ricilësimit të veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.
Akuza ishte ricilësuar në seancën e fundit gjyqësore nga prokurori Agron Uka, prokuror i Prokurorisë së Gjilanit./kallxo

Back to top button