Kaloni te përmbajtja kryesore

”Nuk dinë të qeverisin” Çitaku sfidon VV-në: Tregoni një projekt që e keni nisur dhe përfunduar

(Lajm i përditësuar)

”Nuk dinë të qeverisin” Çitaku sfidon VV-në: Tregoni një projekt që e keni nisur dhe përfunduar

Kandidatja e PDK-së për deputete, Vlora Çitaku, ka falënderuar kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për mbështetjen ndaj PDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit.

Në emisionin “Click” në RTV21, Çitaku tha se bashkëpunimi aktual është i fokusuar në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa vendimet për hapat e mëtejmë do të diskutohen pas përfundimit të procesit zgjedhor.

“Ne jemi mirënjohës dhe falënderues që Nisma dhe Fatmir Limaj po e mbështesin PDK-në në këtë garë zgjedhore. Besoj se edhe Limaj do ta japë kontributin e tij në fuqizimin e PDK-së. Tani për tani kemi marrëveshje për këto zgjedhje, për zgjedhjet e 7 qershorit. Ndërkohë, hapat e mëtejmë do të diskutohen dhe do të ketë pajtueshmëri për vendimet që do të merren”, tha Çitaku.

Ajo shtoi se fokusi aktual i opozitës mbetet gara kundër Vetëvendosjes.

“Për momentin kemi një betejë. Betejën me VV-në. Është një garë për ta mbrojtur funksionimin demokratik dhe themelet e shtetit”, deklaroi ajo.

Duke kritikuar qeverisjen aktuale, Çitaku tha se Vetëvendosje nuk ka rezultate konkrete për t’ua paraqitur qytetarëve.

“Qeveria sot nuk ka asnjë ofertë. E lus VV-në të na tregojë një projekt që e ka nisur dhe e ka përfunduar gjatë mandatit të saj. Kanë menaxhuar rreth 20 miliardë euro për gjashtë vite dhe nuk kanë asnjë rezultat konkret për të prezantuar, përveç ndihmave të njëhershme. Ata nuk duan dhe nuk dinë të qeverisin. Këta duan të sundojnë”, tha Çitaku.


“Për ta kënaqur apetitin e Kurtit për protagonizëm, na mbetet ta shpallim pavarësinë edhe një herë”, Çitaku

Kandidatja e PDK-së për deputete, Vlora Çitaku në ”Click” të RTV21 ka kundërshtuar idenë për krijimin e një xhandarmërie në Kosovë, duke thënë se vendi tashmë ka institucione funksionale të sigurisë që duhet të fuqizohen.

Çitaku tha se Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë dëshmuar profesionalizëm ndër vite, pavarësisht sfidave me të cilat janë përballur.

“Kosova ka polici. Kosova ka ushtri. Me Policinë e Kosovës dhe FSK-në kemi qenë gjithmonë krenarë. Fatkeqësisht, në vitet e fundit, veçanërisht pjesëtarët e Policisë dhe të FSK-së janë përballur me sfida të mëdha. Madje, shumë ushtarë janë detyruar të mbajnë edhe një punë të dytë për të siguruar jetesën e familjeve të tyre”, deklaroi Çitaku.

Ajo theksoi se vendi nuk ka nevojë për struktura të reja sigurie, por për mbështetje më të madhe ndaj institucioneve ekzistuese.

“Ne i kemi institucionet e sigurisë në vend dhe duhet vetëm t’i fuqizojmë ato. Albin Kurti dëshiron ta krijojë xhandarmërinë sepse ka probleme me historinë. Ndoshta, vetëm për ta përmbushur apetitin e tij për protagonizëm historik, duhet të mblidhemi dhe ta shpallim pavarësinë edhe një herë. Kosova i ka institucionet e veta dhe ato duhet të forcohen”, tha Çitaku.


“Edhe në sofër kanë vjedhur”, Çitaku: Byrosë duhet t’i frikësohen eksponentët e VV-së

Çitaku për VV-në: Janë kampionë vetëm në propagandë

Kandidatja e PDK-së për deputete, Vlora Çitaku, ka kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e cilësuar atë si një instrument propagandistik dhe jo mekanizëm të drejtësisë.

Në emisionin “Click” në RTV21, Çitaku tha se konfiskimi i pasurisë nuk mund të bëhet me vendime politike, por vetëm përmes institucioneve të drejtësisë.

“Nuk është byro për konfiskimin e pasurisë. VV nuk po e thotë të vërtetën. Pasuria konfiskohet vetëm nga gjykata. Për më shumë se dy dekada, secilit në këtë vend që ka guxuar të merret me jetë politike, Vetëvendosje nuk i ka lënë gjë pa i thënë, hajn, kriminel e tradhtar pa pasur asnjë fakt. Ata janë kampionë vetëm në propagandë. Kjo byro është një instrument propagandistik”, deklaroi Çitaku.

Ajo akuzoi  Albin Kurti se ka mbrojtur persona që, sipas saj, janë përfshirë në afera korruptive dhe po përballen me drejtësinë.

“Ua kujtoj se kryeministri i Kosovës, duke qenë në detyrë dhe me pushtet të plotë, u ka dalë publikisht në mbrojtje Nagip Krasniqit dhe Martin Berishajt, emra që janë përfshirë në afera dhe procese që po trajtohen nga organet e drejtësisë. Po ashtu, kemi mbi 2 mijë e 500 kontrata njëburimore. Kosova nuk ka pasur ndonjëherë një qeveri më të korruptuar dhe këtë e them me kompetencë dhe keqardhje”, tha ajo.

Çitaku përmendi edhe raportimet publike për komunikime të brendshme që, sipas saj, tregojnë ndërhyrje politike në vendimmarrje.

“Po dalin komunikime në WhatsApp që tregojnë se si merren vendime për çështje të rëndësishme shtetërore. Kjo është e paprecedentë. Nëse dikush duhet t’i frikësohet hetimeve për pasurinë, janë eksponentët e Vetëvendosjes. E refuzoj këtë përpjekje të VV-së për të imponuar perceptime politike mbi qytetarët”, deklaroi Çitaku.

Në fund, ajo tha se askush nuk mund të marrë rolin e gjykatësit në një shtet demokratik.

“Nuk vendos Albin Kurti se kush është hajn, kush është tradhtar dhe kush është i ndershëm. Kjo është detyrë e institucioneve të drejtësisë. Ai është një propagandues politik dhe asgjë më shumë”, përfundoi Çitaku


Çitaku: Gjysma e kandidatëve të PDK-së garojnë për herë të parë, 7 jane nga diaspora

Çitaku: Bedri Hamza i pastër nga aferat, Kosovës i duhet një profesionist si ai

Kandidatja e PDK-së për deputete, Vlora Çitaku, është shprehur optimiste për rezultatin e partisë së saj në zgjedhjet e 7 qershorit, duke vlerësuar veçanërisht mbështetjen nga diaspora dhe cilësinë e kandidatëve në listën zgjedhore.

Në emisionin “Click” në RTV21, Çitaku tha se PDK-ja pret rezultat më të mirë se në zgjedhjet e kaluara.

“Kemi shtatë kandidatë që vijnë nga diaspora dhe besoj që rezultati i PDK-së edhe kësaj radhe do të jetë më i mirë. Mbështetja që po marrim në terren dhe nga bashkatdhetarët tanë na bën optimistë për rezultatin”, tha ajo.

Çitaku theksoi se lista zgjedhore e PDK-së përfaqëson kategori të ndryshme të shoqërisë dhe përfshin shumë kandidatë të rinj.

“PDK ka një listë gjithëpërfshirëse. Ka vajza e djem, burra e gra profesionistë. Gjysma e kandidatëve tanë garojnë për herë të parë. Dua t’i përgëzoj për vullnetin dhe guximin që t’i hyjnë një gare që nuk është e barabartë. Po ashtu, ne kemi një program që nuk është shkruar në zyre, por është hartuar nga ekspertë të fushave përkatëse”, deklaroi Çitaku.

Duke folur për kandidatin e PDK-së për kryeministër, ajo vlerësoi përvojën dhe integritetin e Bedri Hamzës.

“Bedri Hamza ka ushtruar funksione shumë të rëndësishme shtetërore dhe ka menaxhuar institucionet më të rëndësishme financiare të vendit. Përkundër kësaj përgjegjësie, ndaj tij nuk është shënuar asnjë aferë korruptive. Ai është i pastër, profesionist dhe ka dëshmuar aftësi në menaxhimin e shtetit. Kosovës sot i duhet pikërisht një njeri i tillë”, tha Çitaku.


Çitaku: Albin Kurti është kryepërçarësi i shqiptarëve

Kandidatja e PDK-së për deputete, Vlora Çitaku, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti për thellim të përçarjeve politike dhe shoqërore, duke thënë se qasja e tyre është e rrezikshme për demokracinë.

Në emisionin “Click” në RTV21, Çitaku tha se retorika dhe veprimet e LVV-së cenojnë kulturën demokratike dhe bashkëjetesën politike.

“Ajo që kërkon Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti është shembja e themeleve demokratike. Ideologji të tilla vendi ynë i ka njohur edhe më herët dhe ato kanë rezultuar të rrezikshme. Prandaj, kjo qasje duhet të na shqetësojë të gjithëve”, deklaroi Çitaku.

Ajo kritikoi edhe përdorimin e termit “vija të kuqe”.

“Termi ‘vija të kuqe’, i krijuar nga të tjerët për PDK-në, duhet të jetë i papranueshëm në demokraci. Demokracia ndërtohet mbi komunikim dhe dialog. Unë e shoh shumë të vështirë që me LVV-në të gjendet qoftë edhe një formë komunikimi, e lëre më bashkëpunimi. Ata nuk kanë krijuar asnjë hapësirë për të folur me të tjerët dhe duhet të reflektojnë”, tha ajo.

Çitaku akuzoi Kurtin për përçarje të shqiptarëve në rajon dhe diasporë.

“Albin Kurti është kryepërçarësi i shqiptarëve. Ai i ka përçarë shqiptarët në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi. Ka tentuar t’i përçajë shqiptarët edhe në Shqipëri. Fatkeqësisht, ka krijuar ndarje edhe brenda diasporës dhe tani po synon të krijojë përçarje mes qytetarëve që jetojnë në Kosovë dhe bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit”, deklaroi Çitaku.

Sipas saj, raporti me diasporën nuk duhet të ndërtohet mbi interesa elektorale.

“Është e papranueshme. Secili prej nesh ka familjarë që jetojnë në diasporë. Përpjekja për të krijuar një hendek mes nesh dhe bashkatdhetarëve tanë duhet të refuzohet nga të gjithë. Ne nuk e shohim mërgatën si fond elektoral. Ata janë familja jonë dhe pjesë e pandashme e shoqërisë sonë”, përfundoi Çitaku.


”Jo njerëzore”, Çitaku: E papranueshme t’u thuhet tradhtarë luftëtarëve të lirisë

Kandidatja për deputete e PDK-së, Vlora Çitaku në ”Click’ të RTV21 ka reaguar ndaj gjuhës së përdorur në debatet publike ndaj ish-pjesëtarëve të luftës, duke thënë se është e papranueshme që burrave dhe grave që kanë shërbyer me uniformë në mbrojtje të vendit t’u vihet etiketa “tradhtarë”.

Çitaku tha se ata që kanë marrë pjesë në luftë nuk kanë luftuar për pushtet, por për liri dhe identitet kombëtar.

“Nuk kisha besuar kurrë që burrave e grave që kanë veshur uniformën dhe i kanë dalë në mbrojtje shtetit do t’u thuhej ‘tradhtarë’. T’u thuash se kanë luftuar për pushtet është e papranueshme. Ata nuk kanë pasur pushtet për të kërkuar, ata kanë luftuar për liri dhe identitet kombëtar. Është e pafalshme jo vetëm për historinë por edhe për të ardhmen. Mos t’ua mohojmë kontributin, ata janë gjallë,” u shpreh Çitaku.


Çitaku: Jam e bindur se Bedri Hamza do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës

Kandidatja e PDK-së për deputete, Vlora Çitaku, tha se qytetarët e Kosovës do të vendosin më 7 qershor duke menduar për të ardhmen e tyre afatgjatë dhe jo për përfitime të përkohshme.

Në emisionin “Click” në RTV21, ajo deklaroi se ndihmat e shpërndara së fundmi nga Qeveria nuk adresojnë problemet reale me të cilat përballen qytetarët.

“Kam besim te qytetarët e Kosovës. Mëngjesin e 7 qershorit, te kutia e votimit, ata do të mendojnë jo vetëm për një muaj, por për katër vitet e ardhshme. Këto ndihma që ka ndarë Kurti janë të përkohshme, por qytetari i Kosovës do të jetojë edhe në korrik, gusht e shtator. Qeveria nuk ka marrë asnjë vendim afatgjatë që ua lehtëson jetën qytetarëve, por po e keqpërdor djersën e tyre për fushatë elektorale”, tha Çitaku.

Ajo shtoi se gjatë takimeve me qytetarë në mbarë Kosovën po vëren pakënaqësi të madhe me gjendjen ekonomike.

“Ne jemi çdo ditë në terren dhe kemi takime të shumta në të gjithë Kosovën. Kudo e ndiejmë krizën, qytetarët janë në krizë. Do të doja që me VV-në të kishim një garë idesh, por një garë e tillë është bërë e pamundur. Ata nuk po ofrojnë ide dhe nuk kanë rezultate. Mjafton të shkosh në një dyqan lagjeje dhe e sheh se në mes të muajit qytetarët nuk kanë para as për produktet bazike ushqimore”, deklaroi ajo.

Sipas Çitakut, rezultati i zgjedhjeve do t’i hapë rrugë një qeverie të re të udhëhequr nga Bedri Hamza.

“Rezultati i 7 qershorit do t’i ofrojë Kosovës një qeveri të re në krye me Bedri Hamzën. Qytetarët i ka marrë malli për qetësi dhe zhvillim, ndërsa adresa e këtij ndryshimi është Bedri Hamza”, tha ajo.

Çitaku u shpreh e bindur se opozita aktuale do të arrijë të krijojë shumicën parlamentare pas zgjedhjeve.

“Unë jam e bindur që Bedri Hamza do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Subjektet që deri tani kanë qenë në opozitë do të mund të krijojnë shumicën parlamentare”, deklaroi ajo.

Në fund, ajo bëri thirrje për uljen e tensioneve në skenën politike.

“Duhet t’i themi stop përbaltjes, urrejtjes dhe stigmatizimit. Kosova ka nevojë për qetësi, stabilitet dhe parashikueshmëri, dhe këtë e ofron Bedri Hamza”, përfundoi Çitaku.

Ajo tutje ka shtuar se PDK-ja është e gatshme të bashkëpunoj me partitë poltike për zgjedhjen e presidentit, teksa shtoi se ”Kurti do të detyrohet të reflektoj”.


Çitaku: Kurti i paaftë të qeverisë, qytetari më 7 qershor do t’i japë përgjigjen e duhur

Kandidatja e PDK-së për deputete, Vlora Çitaku, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për përdorim të resurseve shtetërore gjatë fushatës zgjedhore, duke thënë se kjo dëmton barazinë në garë.

Në emisionin “Click” në RTV21, Çitaku deklaroi se zgjedhjet në Kosovë janë të lira, por jo gjithmonë të ndershme.

“Ne nuk jemi në garë me një subjekt politik, ne jemi në garë me shtetin dhe resurset e tij. Zgjedhjet janë të lira në Kosovë, por nuk janë të ndershme kur taksat e mia dhe buxheti i shtetit përdoren si instrument për fushatë. Përveç se është e pandershme, kjo është edhe vepër penale dhe secili do të japë përgjegjësi për vendimet e marra ditëve të fundit. Nuk mund të përdoren resurset shtetërore për garë elektorale. Kurti e bën këtë për shkak të mungesës së rezultateve dhe programit”, tha Çitaku.

Ajo vlerësoi se qeverisja e Kurtit nuk ka prodhuar rezultate konkrete gjatë mandatit të saj.

“Asnjë projekt që e ka nisur dhe përfunduar Albin Kurti gjatë mandatit të tij nuk mund të përmendet si sukses. Nuk po arrin t’i mirëmbajë as autostradat që i kemi filluar ne. Është i paaftë të qeverisë dhe nuk ka rezultate. Në mungesë të rezultateve po përdor resurset shtetërore për të krijuar epërsi në garë. Megjithatë, jam e bindur se qytetari më 7 qershor do t’i japë përgjigjen e duhur”, deklaroi ajo.

Çitaku tha se votuesit do të vendosin duke menduar për të ardhmen afatgjatë dhe jo për përfitime të përkohshme.


”Albin Kurti ka problem me historinë e Kosovës”, Çitaku: Nuk di të qeverisë

Çitaku: Kurti do t’i jepte gjashtë vitet e tij si kryeministër vetem për një ditë të Thaçit si kryeministër

Kandidatja e PDK-së për deputete, Vlora Çitaku, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti se kanë krijuar një klimë përçarjeje dhe polarizimi në shoqërinë kosovare.

Në emisionin “Click” në RTV21, Çitaku tha se kjo gjendje nuk është krijuar brenda natës, por është rezultat i një qasjeje të vazhdueshme politike.

“VV-ja që po e ushqen këtë klimë nuk ka ndodhur brenda ditës. Vetëvendosje po jep model të përçarjes, përbuzjes dhe polarizimit. Kjo ndodh sepse Albin Kurti ka problem me historinë e Kosovës, ose më saktë, me mungesën e rolit të tij në historinë e lavdishme të Republikës së Kosovës. Meqë historinë nuk mund ta ndryshojë, ai synon të përbaltë çdo protagonist të saj”, deklaroi Çitaku.

Ajo tha se Kurti do të dëshironte të kishte një rol në momentet kyçe të shtetformimit të Kosovës.

“Jam e bindur që Albin Kurti do t’i jepte gjashtë vitet e tij si kryeministër vetëm për një ditë të Hashim Thaçit si kryeministër më 17 Shkurt 2008. Por ajo periudhë ka kaluar. Kurti mund ta krijojë historinë e vet duke punuar për Kosovën”, tha ajo.

Sipas Çitakut, kryeministri nuk është i interesuar për qeverisje efektive, por për kontroll politik.

“Por jo. Ai nuk do dhe nuk di të qeverisë. Ai dëshiron të sundojë. Ky popull nuk mund të sundohet nga askush”, u shpreh Çitaku.


Çitaku ”godet Kurtin”: Fëmijën e vet nuk e rrit në Kosovë, por keqpërdor fëmijët tjerë për politikë

Kandidatja e PDK-së për deputete, Vlora Çitaku, në ”Click” të RTV21 ka reaguar ashpër ndaj përfshirjes së fëmijëve në fushatën zgjedhore, duke e cilësuar të papranueshme dhe shqetësuese përdorimin e tyre për qëllime politike.

Çitaku tha se ishte e tronditur nga gjuha që, sipas saj, po u servohet fëmijëve në funksion të fushatës elektorale.

“Është e vështirë e imagjinueshme se si mund të bashkëpunohet me një mendësi të tillë. Unë jam tmerruar dhe kam ndjerë dhembshuri të thellë për një fëmijë që u keqpërdor për fushatë elektorale. Fëmijët duhet të mbrohen nga politika. Jam tmerruar nga ajo që tha ai fëmijë dhe nga fakti se si një fëmijë mund të ushqehet me një gjuhë të tillë. Fëmijët duhet të mbrohen nga politika, jo të keqpërdoren nga një njeri i cili, në fund të ditës, as fëmijën e vet nuk e rrit në Kosovë”, deklaroi Çitaku.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që në ditën e zgjedhjeve të fokusohen te problemet dhe nevojat e tyre, e jo te interesat e politikanëve.

“I ftoj qytetarët që më 7 qershor, kur të shkojnë te kutia e votimit, të mos mendojnë për fatin e politikanëve, por për veten e tyre. Të mendojnë për pensionistët, për studentët që realizimin e ëndrrave e shohin jashtë Kosovës, për mjekët që shpesh detyrohen t’i blejnë me paratë e tyre barnat e pacientëve, për policët dhe për familjet e tyre. Me adhurim duhet vetëm Republika. Ne politikanët jemi të përkohshëm”, tha ajo.

Duke kritikuar mënyrën e funksionimit të Lëvizjes Vetëvendosje, Çitaku tha se është e rrezikshme një kulturë politike ku vendimmarrja përqendrohet te një person i vetëm.

“Ideja e një individi të VV-së që ushqen mendjen e të tjerëve, sepse në atë parti vetëm një njeri vendos dhe një njeri dikton, është një mendësi e rrezikshme dhe secili prej nesh duhet ta luftojmë. Kandidati ynë, jo vetëm në këtë cikël zgjedhor, por asnjëherë nuk ka sharë dhe as nuk ka fyer. Politika, përveç shumë funksioneve të tjera, ka edhe funksion emancipues. Ne përfaqësojmë modele për shoqërinë”, përfundoi Çitaku.


”Fyerjet janë të papranueshme”, Çitaku: Më 8 qershor do ta shohim njëri-tjetrin në sy

Kandidatja e PDK-së për deputete, Vlora Çitaku, në ”Click” të RTV21 ka kritikuar gjuhën e përdorur gjatë fushatës zgjedhore, duke vlerësuar se qytetarëve duhet t’u ofrohen programe dhe rezultate, e jo akuza ndaj kundërshtarëve politikë.

Çitaku tha se është për keqardhje që një subjekt politik, i cili sipas saj ka qeverisur për gjashtë vjet dhe ka gëzuar mbështetje të madhe elektorale, vazhdon të mbështetet në akuza ndaj oponentëve.

“Për keqardhje që në vitin 2026 një subjekt politik që ka fituar 50 për qind të votave dhe ka qeverisur me një komoditet të madh për gjashtë vite, në vend që të ofrojë program dhe të numërojë rezultatet, u ofron qytetarëve akuza çnjerëzore karshi oponentëve politikë. Zgjedhjet përfundojnë më 7 qershor, ndërsa më 8 qershor ne do të jemi në gjendje ta shikojmë njëri-tjetrin në sy, sepse të gjithë jemi qytetarë të këtij vendi. Është e papranueshme, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë njerëzor, gjuha dhe fyerjet që bëhen ndaj kundërshtarëve politikë”, tha Çitaku.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button