8 ditë paraburgim për profesorin dhunues

“Si të mbajmë lapsat kur profesori mban armë”, “Duam të edukohemi jo të abuzohemi”, “Kërkojmë ndëshkimin e duhur”, këto ishin parullat që nxënësit e shkollës “Ibrahim Temo” të Strugës i mbajtën sot në duar para Gjykatës Themelore duke kërkuar drejtësi për bashkëmoshatarin e tyre që dje u sulmua me boks të hekurt nga profesori.
Thonë se janë mbledhur para gjykatës për të kërkuar drejtësi, ndërsa bëjnë thirrje për t’i dhënë fund dhunës, pasi që siç shprehen, nuk ndihen të sigurt.
“Ne si parlament i nxënësve organizuam këtë protestë , në shenjë solidariteti për sulmin që ju shokut tonë, nxënësit të shkollës “Ibrahim Temo” dhe më këtë duam të ngremë zërin e nxënësve duke kërkuar të drejtat tona dhe duke kërkuar siguri nëpër shkolla që të mos frikësohemi kur të vijmë këtu, me një fjalë të jemi të sigurt”.
Drejtoresha e shkollës, Besime Jonuzi, tregon se i njëjti profesor disa herë është dënuar dhe paralajmëruar për dhunën që ka kryer ndaj nxënësve, por ai nuk ka reflektuar dhe pas rastit të djeshëm drejtoresha tha se e ka suspenduar nga puna.
“Profesori në prezencë timen ofendoi kolegen, ju drejtova profesorit duke i thënë të lutem sot largohu nga puna je i lirë prej pune nga dyshimi se mund të ndodh diçka dhe në moment kur isha duke shkruar suspendimin, vetëm nga zyra ime dëgjova të bërtiturat dhe kur zbrita poshtë vetëm se profesori ishte mbyllur në zyrë në kabinetin e gjuhës angleze, ndërsa nxënësit ishin tubuar që të hyjnë dhe ta sulmojnë profesorin, fatmirësisht me ndërhyrjen e kolegëve dhe time arritëm që t’i mbajmë nxënësit derisa erdhi policia”, tha Besime Jonuzi, drejtoresh e shkollës “Ibrahim Temo”.
Gjykata Themelore e Strugës i ka caktuar masë paraburgimi prej 8 ditësh dhe po punohet në zbardhjen e plotë të rastit që solli situatën deri në këtë pikë.
“Kemi nisur procedurë kundër profesorit 57 vjeçar nga Struga, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën Dhunë. I dyshuari më 23.12.2021 rreth orës 12:30 me një boks hekuri ka goditur në kokë nxënësin 18-vjeçar. Sulmi fizik pasoi pas një debati të shkurtër verbal në mes të profesorit të dyshuar dhe nënës së nxënësit të lënduar. Në mënyrë që procedura penale të zhvillohet pa probleme, prokurori publik kompetent i ka dorëzuar Gjykatës Themelore në Strugë propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të  dyshuarin. Gjykata e pranoi propozimin e Prokurorisë dhe me vendim të dyshuarit i caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 8 ditësh”, thonë nga Prokuroria Themelore në Strugë.
Nxënësit në shenjë revolte  sot bojkotuan mësimin. Nxënësi i sulmuar është nga fshati Veleshtë i Strugës. Pas sulmit nga profesori mori lëndime në anën e majtë të kokës me çka menjëherë është dërguar në spitalin e Strugës./TV21

Back to top button