8 raste me HIV, mes tyre një fëmijë nën moshën 15-vjeç

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka bërë të ditur se në vitin 2021, në vendin tonë janë raportuar 8 raste me HIV infeksion, prej tyre 7 janë nga komuniteti MSM dhe një fëmijë nën moshën 15 vjeç.
Që nga viti 1986 deri me 1 dhjetor të vitit 2021, në Kosovë janë raportuar 139 raste me HIV dhe AIDS. Numri më i madh i takon gjinisë mashkullore (73%). Grup mosha më e atakuar është 25-34 vjeç (31%) dhe grup mosha 35-44, po ashtu 31%. Deri më tani 50 persona kanë vdekur si pasojë e AIDS-it.
IKSHPK ka theksuar se “Kosova klasifikohet si vend me prevalencë të ulët të HIV-it në mesin e popullatës së përgjithshme dhe prevalencë të ulët në mesin e popullatës kyçe: meshkujt që bëjnë seks me meshkuj (MSM), personave që injektojnë droga (PID) dhe femrave punëtore të seksit (FSK). Të dhënat ekzistuese dëshmojnë se ne nuk kemi epidemi të gjeneralizuar apo të përqendruar të infeksionit HIV”.
Mesazhet kryesore dhe thirrja për veprim:
• Përtëritja e luftës për t’i dhënë fund AIDS-it; është koha për të investuar, përtërirë dhe
integruar shërbimet e HIV me kujdesin e gjerë shëndetësor.
• Përdorimi i shërbimeve inovative të HIV-it, për të siguruar kujdes të vazhdueshëm për
personat me HIV gjatë pandemisë, p.sh. përshkrimi i terapisë për disa muaj.
• Angazhimi, përkrahja dhe mbrojtja e punëtorëve shëndetësor dhe atyre në komunitet
gjatë ofrimit të shërbimeve për HIV dhe COVID-19.
• Dhënia e përparësisë grupeve vulnerabile. Ofrimi i vazhdueshëm i shërbimeve të HIV-it
gjatë COVID-19 për fëmijët, adoleshentët dhe grupacionet e veçanta.
COVID-19 dhe HIV
Tani, COVID-19 po përkeqëson pabarazitë dhe ndërprerjet e shërbimeve, duke e bërë jetën e shumë njerëzve që jetojnë me HIV më sfiduese.
Personat me HIV duhet të jenë shumë të kujdesshëm në respektimin e masave të përgjithshme për të shmangur infeksionin me COVID-19:
• Vaksinimi,
• Bartja e maskës,
• Mbajtja e distancës fizike,
• Mbajtja e higjienës personale dhe ambientit,
• Evitimi i udhëtimeve dhe tubimeve të panevojshme.
Në veçanti, duhet parapregaditur për infeksion të mundshëm, duke:
• Siguruar furnizim të mjaftueshëm (30-90 ditë) me barna për HIV.
• Vazhduar të merrni barnat për HIV, me që ato ndihmojnë që ta ruani sistemin imunitar.
• Mirëmbajtur stilin e shëndoshë të jetës (të ushqyerit e shëndetshëm, gjumë të
mjaftueshëm së paku 8 orë në ditë dhe largimi nga stresi).
Kujtojmë se me 1 dhjetor shënohet Dita Botërore e AIDS-it, ditë e cila në shumë pjesë të botës kalon duke mësuar dhe informuar popullatën lidhur me këtë sëmundje dhe njëkohësisht vazhdon të jetë një çështje me rëndësi globale e shëndetit publik./21Media

Back to top button