81 organizata në Kosovë i dërgojnë letër Macronit
81 organizata të shoqërisë civile në Kosovë, i janë drejtuar sot përmes një letre presidentit të Francës, Emmanuel Macron lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se procesi i liberalizimit është ndalur në Këshillin e Bashkimit Evropian si institucioni më i lartë i BE-së dhe i fundit i cili duhet ta aprovojë propozimin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën.
“Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon dhe ndër të vetmit në Evropë qytetarët e të cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen”, thuhet në njoftimin për media nga organizatat e shoqërisë civile.
Përmes letrës dërguar Macronit, shoqëria civile ka kërkuar nga lidershipi i tij dhe të Francës që në prag të Konferencës për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në qershor në Paris, të fusin në agjendë dhe të aprovojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
“Duke e vlerësuar lëvizjen e lirë si të drejtë themelore të njeriut nga mungesa e të cilës më së shumti vuajnë qytetarët e zakonshëm, përmes kësaj letre, organizatat e shoqërisë civile të Kosovës, i bëjnë thirrje Presidentit Macron që gjatë Presidencës Franceze të BE-së ta çojë zgjerimin evropian në një epokë të re, duke i dhënë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës dhe duke hapur bisedimet e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si një moment ringjallje për perspektivën e rajonit drejt BE-së”, thuhet në letrën e tyre.
Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk mund të lëvizë lirshëm./21Media