9.070 nxënës nuk morën pjesë në mësimin online, u munguan mjetet

 

Mësimin në distancë gjatë pandemisë COVID-19 nuk e kanë ndjekur 9070 nxënës prej klasës së parë deri tek ajo e dymbëdhjetë.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj në seancën e sotme plenare, tha se kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të mungesës së mjeteve teknologjike dhe informative.

Por, për dallim prej institucioneve publike në ato private u tha se pjesëmarrja e nxënësve në mësimin në distancë ka qenë 100 për qind.

“Numri i nxënësve që nuk e kanë ndjekur mësimin në distancë prej fillores deri në klasën e 12 është 9070, rreth 2.8 për qind në institucione publike, ndërkaq në institucione private siç është deklaruar është 100 për qind pjesëmarrja. Nga ky numër në arsimin parashkollor 2.8 për qind nuk kanë marrë pjesë në mësimin në distancë. Në nivelin fillor 2 për qind, në nivelin fillor të mesëm të ulët 3 për qind, ndërsa në atë të mesëm të lartë 2.8 për qind. Numri i përgjithshëm prej 9070 nxënësve sipas statistikave të nxjerra për fëmijë të nevojave të veçanta është 8.7 për qind”, tha ai

Ministri Likaj duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të LDK-së, Visar Hoti për analizën e mësimit gjatë pandemisë, tha se mospjesëmarrja ka qenë e ndërlidhur kryesisht me mungesën e mjeteve teknologjike te nxënësit.

“Arsyet pse nuk kanë marrë pjesë nxënësit në mësimin në distancë është pikërisht mungesa e mjeteve të teknologjisë informative. Apo numri i kufizuar i pajisjeve të teknologjisë informative për shkak familjet kanë pasur më shumë se një fëmijë në shkollë dhe mungesa e qasjes në shërbime të internetit”, tha ai.

Back to top button