9 persona humbën jetën në vendin e punës

Nëntë persona kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës vetëm gjatë vitit 2021 në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 188 aksidente, ku prej tyre 40 janë kategorizuar si lëndime të rënda. Këtë e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv u.d. kryeinspektor i Inspektoratit të Punës, Agim Millaku.
“Në vitin 2021 kemi 188 aksidente prej tyre (139 lëndime të lehta, 40 lëndime të rënda dhe 9 vdekje në punë), ndërsa në vitin 2020 kanë humbur jetën 11 persona në vendin e punës”, ka thënë Millaku për rtv21.tv.
Numri i vogël i inspektorëve të punës, shpesh përmendet si një prej arsyeve të moszbatimit të Ligjit të punës dhe shkeljes së të drejtave të punëtorëve.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, për portalin rtv21.tv ka thënë se s’ka inspektime pothuajse fare, e kjo sipas tij për shkak të numrit të vogël të inspektorëve.
“Nuk ka inspektime pothuajse fare pasi që 28 inspektorë duhet të merren me ligjin e punës marrëveshjen kolektive, ligjin mbi sigurinë dhe shëndetin në punë dhe ligjeve tjera, e ku dihet se kemi rreth 60 mijë biznese aktive dhe për ta vizituar një kompani me këtë numër të inspektorëve i nevojiten 15 vjet për t’i vizituar njëherë këto kompani”, ka thënë Azemi.
Megjithatë, U.D. kryeinspektor i Inspektoratit të Punës, Agim Millaku për portalin rtv21.tv ka thënë se aktualisht në gjithë territorin e Kosovës veprojnë 36 inspektorë të punës. Por, edhe ky numër sipas Millakut nuk mjafton.
“Numri i bizneseve aktive në Kosovë të cilat kanë deklaruar punëtor është mbi 75000, nga kjo rezulton se numri i inspektorëve të punës është shumë i vogël në raport me numrin e subjekteve punuese”, ka thënë Millaku.
Të dhënat e Inspektoriatit të Punës flasin për të gjithë sektorët, por në ndërtimtari situata paraqitet më e vështirë pasi lëndimet në këtë sektor janë më të shpeshta.
“Sektorët ku më së shumti i ikin respektimit të dispozitave ligjore janë: ndërtimtaria, energjetika, prodhimtaria, shërbyeset dhe tregtia. Edhe siguria në punë në këta sektor është ma pak e përfillur”, ka thënë Millaku.
Millaku për portalin rtv21.tv ka thënë se numri i ankesave në vitin 2021 ka qenë 5 mijë e 152 në total, në sektorin privat 799 dhe në sektorin publik 4 mijë e 352 ankesa. Ndërsa, në vitin 2020 kanë qenë 9 mijë e 801 ankesa në sektorin publik dhe 646 ankesa në sektorin privat, gjithsejtë 10 mijë e 432 ankesa.
Nga puna e 36 inspektorëve dhe ankesat e mijëra punëtorëve, janë shqiptuar 281 gjoba gjatë vitit 2021. Ndërsa, 115 në vitin 2020.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka thënë se kushtet e punëtorëve të sektorit privat janë aq të vështira “sa po t’iu ipet mundesia nesër do ta lëshonin Kosovën, për shkak të pagave të ulta, orareve të gjata të punës, mos pagesa e trustit, pa pushime vjetore, pa pushime mjeksore, pa kontrata pune dmth s’kanë siguri”.
Azemi ka thënë se shteti duhet t’i monitorojë ligjet që Kuvendi i Kosovës i ka nxjerrë, por sipas tij deri më tani nuk janë duke e bërë këtë!
Portali rtv21.tv ka kontaktuar me zyrtarë nga Qeveria e Kosovës, mirëpo të njëjtit ende nuk janë përgjigjur./21Media

Back to top button