90 vjeçarja diplomon në Universitet

Joyce DeFauw është stërgjyshe. Ajo është 90 vjeçare.
Kjo stërgjyshe u regjistrua në Universitetin Northern Illinois para 71 vitesh me qëllim të diplomimit në fushën e ekonomisë.
Por, jeta ka plane të tjera, ka thënë ajo. Joyce dështoi në disa semestra. Në vitin 2019 u rikthye atje, me kartën e identifikimit të lëshuar në vitin 1951, me ngjyra bardh e zi. Kësaj radhe ishte e vendosur që të përfundonte studimet, dhe e arriti këtë.
Joyce në një intervistë për media ka treguar se ishte e shqetësuar që nuk kishte mbaruar studimet, dhe se fëmjët e saj e inkurajuan që të kthehej në Universitet.
Kështu, ajo filloi sërish, tani me ndihmë të kompjuterit, në pandemi.
Me shpëthimin e pandemisë, nuk mund të dilte nga dhoma, këtë për shkak të sigurisë së shëndetit, megjithatë tani kishte me çka të merrej. Ajo studionte.
Joyce ka treguar se ka pasur raste kur gati ka hequt dorë nga studimi, por se për këtë kanë qenë në dijeni shumë persona, dhe nuk ka dashur ti zhgënjejë.
Stërgjyshja Joyce tani është falënderuese që iu dha mundësia të kthehet në shkollë dhe të diplomohet.
Ajo tani ka një këshillë për këdo që fillon ndonjë punë, e që nuk arrin të përfundojë, përfshirë edhe ata që duan të studiojnë. “Çdo gjë që fillohet duhet të përfundohet”, ka thënë ajo. Këtu vlen edhe vendimi i saj për tu kthyer në Universitet. Kjo ka shumë rëndësi, ka thënë ajo.
Joyce ka thënë se njeriu nuk duhet të heq dorë nga diçka që fillon, pa marrë parasysh baticat e zbaticat në jetë./21Media

Back to top button