Osmani: Spastrimi etnik vazhdon në Luginën e Preshevës

(Lajm i përditësuar)
Osmani: Spastrimi etnik vazhdon në Luginën e Preshevës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar se spastrimi etnik përmes mjeteve administrative po vazhdon në Luginën e Preshevës, përmes pasivizimit të adresave të banorëve, pasi Qeveria serbe pa gjurmë dhe pa lëshuar asnjë njoftim me shkrim apo dokument i fshin shqiptarët nga regjistri i gjendjes civile të Serbisë.
Presidentja Osmani ka thënë se Policia e Kosovës qëndron krenare si mishërim i profesionalizmit dhe diversitetit brenda peizazhit të zbatimit të ligjit në rajon dhe më gjerë. Ajo ilustron një histori suksesi që është shpalosur gjatë dy dekadave të Republikës sonë të lirë.
“Qoftë në Jug apo Veri, Lindje apo Perëndim, misioni i palëkundur i policisë është një dhe i vetëm: rrënjosja e besimit, qetësisë dhe sigurisë në lagje dhe komunitete në të gjithë vendin”, tha ajo, derisa foli edhenjë dislokim të madh ushtarak serb përgjatë kufirit me Kosovën.
“Serbia tërhoqi disa nga trupat e saj nga kufiri vetëm pas paralajmërimeve të SHBA-së se mund të përballet me masa ndëshkuese. Por, forca të rëndësishme ushtarake vazhdojnë të jenë të vendosura në mënyrë të përhershme në zonë me 48 baza operative të Serbisë përreth kufirit me Kosovën”, tha ajo.
Ajo ka folur edhe për të drejtat që kanë komunitetet pakicë në Kosovë.
“Ndërsa flas për të drejta të zgjeruara dhe të avancuara për serbët e Kosovës dhe çdo komunitet pakicë në Kosovë, spastrimi etnik përmes mjeteve administrative siç është cilësuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, po vazhdon në Serbi, më saktësisht në Luginën e Preshevës, përmes pasivizimit të adresave të banorëve. Qeveria serbe pa gjurmë dhe pa lëshuar asnjë njoftim me shkrim apo dokument i fshin shqiptarët nga regjistri i gjendjes civile të Serbisë, dhe si rrjedhojë, duke iu mohuar të gjitha të drejtat e tyre themelore, këto shkelje të të drejtave, të konfirmuara edhe nga raportet e Departamentit të Shtetit Amerikan, si dhe disa nga rezolutat e fundit të Parlamentit Evropian, po përkeqësohen më tej nga gjuha e urrejtjes dhe gjuha diskriminuese që përdoret në mënyrë rutinore nga mediat dhe politikanët në Serbi”, tha ajo.
Osmani ka shtuar se drejtësia është pjesa qendrore e çdo veprimi të institucioneve të Kosovës.
“Një kriminel është kriminel, pa marrë parasysh kombësinë e tij. Në ndjekjen tonë të pamëshirshme për drejtësi, ne automatikisht respektojmë në mënyrë të palëkundur standardet më të larta të të drejtave të njeriut. Çdo gjë në kundërshtim me këtë nuk është dhe nuk do të jetë kurrë e pranueshme për ne’, tha ajo.
Kosova dhe Serbia këmbejnë akuza për sulmin në Banjskë
Kosova dhe Serbia kanë këmbyer akuza gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua për raportin për Kosovën të sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres.
Përderisa Serbia mohoi çdo përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë dhe tha se ngjarjet ishin rezultat logjik i “terrorit” ndaj serbëve, Kosova tha se më 24 shtator ishte “cak i agresionit nga Serbia”.
Osmani: Serbia po mundohet që agresorin ta shndërrojë në viktimë
Në fjalimin e saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Serbia po përpiqet që agresorin ta shndërrojë në viktimë.
“Sot ajo se çka kemi dëgjuar nga Serbia është zgjatje e përpjekjeve për ta nxitur këtë aktin e agresionit”, tha Osmani.
Ajo theksoi se Serbia ka dashur ta shohë Kosovën sikur Krimenë, por që nuk ia ka arritur qëllimit.
“U zu në befasi për shkak të përkushtimit të policisë së Kosovës. Në ditën e sulmit institucionet e Kosovës kanë mbajtur kontakte me praninë ndërkombëtare ashtu siç ka qenë historikisht. Do të vazhdojmë që të bashkëpunojmë me aleatët tanë që t’i kundërvihemi akteve të tilla dhe që t’i parandalojmë që ato të mos ndodhin më”, tha ajo.
Osmani tutje shtoi se këto grupe terroriste dhe paramilitare janë financuar, trajnuar, armatosur dhe strehuar nga një burim, e që është Serbia.
Bërnabiq në Këshill të Sigurimit akuzon Kosovën për spastrim etnik të serbëve
Ziade në KS të OKB-së tregon shpresat që kanë për deeskalimin e situatës në mes Kosovës dhe Serbisë
Përfaqësuesja speciale dhe kryetarja e UNMIK-ut, Karolina Ziade, ka deklaruar se kanë shpresën e tyre se takimet e 21 tetorit të diplomatëve të BE-së dhe SHBA-së, në Prishtinë dhe Beograd, do ta vënë dialogun prapë në një rrugëtim të drejt, me zotimin e fuqishëm që të dyja palët të implementojë masat deeskaluse dhe ripërkudshtimin e të të dyja palëve që të implementojnë tërësisht marrëveshjet e arritura.
Ajo në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku po bëhet raportimi periodik për zhvillimet në Kosovë, fillimisht është ndalur te zhvillimet në veri, ku përmendi vrasjen e policit të Kosovës, derisa shtoj se deeskalimi mund të kalojë vetëm me dialog në Bruksel.
“Masat e eskalimit janë kritike dhe në këtë drejtim unë e ndaj shpresën edhe të shumë të tjerëve që rezultati i takimeve të lehtësuara nga BE dhe SHBA në Prishtinë dhe Beograd, më 21 tetor, do ta vë dialogun prapë në një rrugëtim të drejt me zotimin e fuqishëm që të dyja palët për të implementuar masat deeskaluse dhe propozimet që përcaktohen gjatë këtyre takimeve dhe kjo përfshijnë ripërkudshtimin nga të dyja palët që të implementojnë plotësisht dhe tërësisht marrëveshjet e arritura dhe përkatësisht të punojnë për themelimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe, duhet të fillojnë pa vonesë dhe pa kushte, bashkë me marrëveshjet tjera”, tha ajo.
Ziade shtoi se tensionet, izolimi dhe mungesa e interesimit të politikanëve për të adresuar problemet e qytetarëve, do ta përkeqësojnë edhe më shumë situatën.
Sipas saj, dialogu është urgjent dhe e vetmja mënyrë për të ecur përpara.
Nis takimi i KS i OKB-së, Osmani përfaqëson Kosovën
Nisi takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përfaqëson Republikën e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhur me raportimin periodik për zhvillimet në Kosovë, raporton rtk.
Në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, presidentja Osmani flet për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator, njofton Presidenca.
Bëhet e ditur se, Osmani thuhet se do të flasë edhe për përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me aleatë e partnerë të Kosovës.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, sonte, do të diskutojë raportin e ri gjashtëmujor për situatën në Kosovë. Raporti përfshinë periudhën nga 19 marsi deri më 18 shtator 2023.