Nexhat Krasniqi reagon pasi u sanksionua nga SHBA: Kurrë s’kam qenë i dënuar për korrupsion

Nexhat Krasniqi ka reaguar për herë të parë pas sanksionimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Krasniqi ka thënë se se nuk e di arsyen e sanksionimit të tij. Ai ka deklaruar se nuk ka qenë kurrë i dënuar për korrupsion, por për rastin për të cilin është sanksionuar, Krasniqi ishte dënuar me burgim me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e që si vepër penale hyn në kapitullin e korrupsionit në Kodin Penal të Kosovës.
“Unë edhe mund të jem i papërshtatshëm për Amerikën për të cilën gëzoj shumë respekt. Unë nuk e di arsyen për shkak se rasti është i vitit 2005, e që është rast i gjykuar. Çuditërisht unë kam nënshkruar kontrata me kompaninë prestigjioze amerikane Bechtel në vitin 2010 dhe 2014 për dy autostrada, duke pasur relacione shumë korrekte dhe profesionale me ta”, ka shkruar fillimisht ai.
SHBA-ja në arsyetimin për vendosjen e Krasniqit në listën e sanksioneve thuhet se Krasniqi ka qenë i përfshirë në korrupsion të madh gjatë kohës sa ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Sipas vendimit Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke marrë ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të Parkut Industrial në Komunën e Drenasit, nga kompania “Eltoni”.
“Ndoshta në media e nga pseudo-gazetar të ndryshëm jam dënu për korrupsion edhe për marrje ryshfeti. Ndoshta nga politikanë të ndryshëm jam dënu për korrupsion edhe për marrje ryshfeti. Çka është fakt, e për të cilin mundeni me verifiku në krejt institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës edhe ato ndërkombëtare, është kjo: Në Republikën e Kosovës, ku jetoj e punoj prej kur kam lind, KURR në jetë nuk jam dënu për korrupsion e as për marrje rryshfeti…. Jam hetu, jam vezhgu e jam akuzu nga prokuror Amerikan, nga prokuror ndërkombëtar të Eulexit, nga prokuror Shqiptar të të gjitha prokurorive… Jam gjyku e ri-gjyku nga gjykatës Amerikan, nga gjykatës ndërkombëtar te Eulexit, nga gjykates Shqiptarë të të gjitha gjykatave. KURR KURR KURR asnjëherë nuk jam dënu as për korrupsion e as për marrje të ryshfetit…” ka shkruar tutje ai në Facebook.