Rohde i bën thirrje Kosovës të përpiqet për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i ka bërë thirrje Kosovës që të bëjë edhe më tej përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë, duke shtuar se ajo ka qenë e përkushtuar “në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
Sipas tij, është e rëndësishme “që të arrihet një momentum në bisedimet me Serbinë”.
Në një takim në Komisionin për Integrim Evropian, Rohde ka thënë të hënën se sfiduese për Kosovën mbetet lufta ndaj korrupsionit, reforma e administratës publike dhe sundimi i ligjit.
“Gjermania i ka ofruar asistencë të madhe shtetit të Kosovës në arritjen e reformave…Kosova ka mbetur e përkushtuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, por duhet akoma përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura”, ka thënë ai.
Ambasadori gjerman është shprehur se është bërë progres i kufizuar në sesionet parlamentare, duke përmendur mungesën e bashkëpunimit mes partive për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ndërsa, kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi, njëherit deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është shprehur se bazuar në raporte, Kosova është më e përgatitur se Bosnjë-Hercegovina për t’u anëtarësuar në BE.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?